Mjekët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës i kanë shpëtuar jetën një fëmije 1-vjeçar, i cili gjatë lojës me një lodër kishte aspiruar një pjesë të lodrës, që i kishte shkaktuar vështirësi të madhe në frymëmarrje.
Sipas QKUK-së, fëmija menjëherë nga Klinika Emergjente, është transferuar në Klinikën e Otorinolaringologjisë për shkak të aspirimit të trupit te huaj (lodër plastike e rrumbullakët), gjë që e bën shumë të vështirë heqjen e trupit të huaj.
“Në këto kushte fëmiu dërgohet me urgjencë në sallë të operacionit, ku thirret ekipi kujdestar i mjekëve të ORL-së, ata thërrasin me urgjencë mjekët e anestezionit, ku pas ndërhyrjes me bronkoskop, fëmijës i largohet pjesa e lodrës, i lirohen rrugët e frymëmarrjes dhe i shpëtohet jeta.”
Në njoftim po ashtu thuhet se mjekët apelojnë te prindërit që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët, duke mos u lënë gjëra të imëta që mund t’i gëlltisin dhe të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.