Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka pritur sot përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve dhe përfaqësuesit e Rrjetit të Shitësve me Pakicë për të diskutuar furnizimin me grurë dhe miell në vendin tonë gjatë gjendjes emergjente të shkaktuar nga COVID-19, raporton Zëri.
Rrjeti i Shitësve me Pakicë dhe Shoqata e Mullisëve e siguruan ministrin Mustafa se, momentalisht, në Kosovë ka furnizim të mjaftueshëm me grurë dhe miell për nevojat e konsumit të rregullt.
Ndërsa, Ministri ka thënë se do të vazhdojë të jetë në kontakt me këto shoqata në mënyrë që të krijohen kushtet për furnizim të mjaftueshëm me miell e produkte tjera.
“Do të vazhdojmë të koordinohemi në mënyrë që Qeveria, bujqit, mullisët dhe rrjetet e shitjes me pakicë të krijojnë kushtet më të volitshme të mundshme, në këto rrethana, për të arritur tri objektiva njëkohësisht: sigurimi i sasive të mjaftueshme dhe çmimeve të përballueshme të miellit për qytetarët, mbrojtja dhe përkrahja e bujqve dhe përkrahja e prodhuesve vendor” u shpreh ministri Mustafa pas këtyre dy takimeve.