Punëtorët e minierës “Trepça”, vazhdojnë të përballen me vonesë e mungesë pagash. Ata edhe pas 11 ditësh që kur kemi hyrë në mars, nuk kanë marrë rrogën e muajit shkurt. E kjo situatë e rënduar ka detyruar minatorët që të mos dalin në vende të tyre të punës, por në shenjë pakënaqësi po protestojnë para hyrjes së minierës. Këtë për IndeksOnline e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Re të “Trepçës” me flotacion në Stantërg, Gani Osmani.
“Dje s’ka punuar as ndërrimi i parë e as ndërrimi i dytë. Situatë e njëjtë është edhe sot. Punëtorët nuk kanë filluar punën, por janë duke pritur që dikush të japë sqarime në lidhje me këtë situatë”, tha Osmani.
Ai ka bërë të ditur se gjysma e punëtorëve të minierës kanë marrë vetëm 60 për qind të pagës së janarit, ndërsa pjesën tjetër jo. Një ofertë e tillë u është bërë nga menaxhmenti sërish, por siç ka theksuar Osmani, kjo nuk është pranuar nga ata.
“Punëtorët kanë kërkuar të marrin 100 për qind të pagës, e jo më pak siç ka ndodh në janar. Ata tani kërkojnë pagën e plotë për shkurt si dhe pjesën e mbetur të janarit. Punëtorët dua t’i kthehen normalitetit, duan të punojnë meqë edhe prodhimi tashmë është rritur”, tha Osmani./Indeks/