Mediat serbe reagojnë pasi Anxhela Peristeri shfaqet në ‘Eurovision’ me shqiponjë
Këngëtarja shqiptare, Anxhela Peristeri, do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin “Eurovision 2021”, tash e sa ditë ajo qëndron në Roterdam, pasi ajo do të përformojë në natën e dytë të festivalit.
Në një paraqitje para mediave, Anxhela kishte bërrë shqiponjën dykrenare, e që të njëjtën fotografi e ka postuar në “Instagram”, veprim i cili ngriti reagime të mediave serbe. “Novosti” i dedikoi një artikull veprimit të përfaqesueses së Shqipërisë, duke e cilësuar si provokim
“Skandal në Eurovision: Simboli i Shqipërisë së madhe, një provokim i turpshëm para gazetarëve”, ishte titulli i mediumit serb. Në artikullin e “Novostit” thuhet se në prag të mbajtjes së natës gjysmëfinale të “Eurovisionit” ndodhi një skandal. “Përfaqësuesja e Shqipërisë, Angelia Peristeri dhe bashkëpunëtori i saj dolën para shtypit dhe treguan simbolin e Shqipërisë së Madhe, të ashtuquajturën “shqiponja dykrenare” në mënyrën shqiptare. Ju kujtojmë se Eurovision në parim ndalon promovimin politik në veprimtarinë e saj. Ajo ndau një foto me të njëjtën temë një javë më parë”, thuhet ndër të tjera në artikullin e mediumit serb.