Rinovimi i Kylian Mbappé me Paris Saint-Germain u bë një çështje shtetërore përtej “Camp des Loges” ose “Parc des Princes”. Politika franceze ndërhyri për ta mbajtur në vend yllin e futbollit. E bëri këtë përmes një prej përfaqësuesve të saj më të mëdhenj, Emmanuel Macron. Presidenti i Republikës Franceze e telefonoi sulmuesin dhe i bëri presion që të qëndronte në ligën franceze dhe të mos pranonte ofertën e Real Madridit, siç ndodhi në fund.
Në një intervistë për “New York Times”, Kylian Mbappé tregon se si ishte biseda me politikanin francez dhe si ndikoi ai në vendimin e tij: “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të flisja me presidentin për të ardhmen time, për të ardhmen e karrierës sime, kështu që është çmenduri, vërtet çmenduri”.
Pyetjes se çfarë i kërkoi presidenti Macron, sulmuesi i PSG iu përgjigj: “Ai më tha: Unë dua që ju të qëndroni. Unë nuk dua që ju të largoheni tani. Ju jeni shumë i rëndësishëm për vendin. Kur presidenti jua thotë këtë, ka shumë rëndësi”.
Kjo gazetë amerikane siguron se Macron e mori si të mirëqenë, në planin afatmesëm, largimin e Mbappe te Real Madridi dhe i kërkoi që ta bënte këtë gjë më vonë. “Ke kohë, mund të rrish edhe pak te PSG”, – i tha politikani i lartë futbollistit të njohur.
Gazeta amerikane pohon se në momentin e vendimit “kanë folur për gjithçka” mes prindërve dhe avokates së tyre, Delphine Verheyden, dhe se paratë nuk kanë ndikuar. “Sepse kudo që të shkoj do të më japin para”, – thotë ai.
Mbappe përfitoi nga rasti për të mohuar informacionin që siguronte se Paris Saint-Germain i ka dhënë atij më shumë pushtet mbi vendimet për skuadrën: “Kjo nuk është puna ime dhe nuk dua ta bëj, sepse nuk jam i mirë për këtë. Unë jam i mirë në fushë. Për çfarë ndodh jashtë fushës, ky nuk është roli im. Ka shumë njerëz që janë më të mirë se unë për këtë”.
Francezi u pyet gjithashtu për një të ardhme të mundshme te Real Madridi. “Asnjëherë nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Nuk kam qenë asnjëherë, por më duket sikur është shtëpia ime apo diçka e ngjashme”, – tha ai për klubin e bardhë, të cilin e refuzoi këtë verë.
Sa i përket “Topit të Artë”, ai e sheh veten si ‘trashëgimtar’ i Cristiano Ronaldos dhe Leo Messit: “Unë nuk kam kufij. Pra, sigurisht, siç thoni ju, është një gjeneratë e re. Ronaldo dhe Messi do të ndalojnë. Ne duhet të gjejmë dikë tjetër, dikë të ri”.
Këto ishin deklaratat e tij të tjera në “New York Times”:
Adoleshenca – “Kur je 15 vjeç ke ambicie. Të gjithë kanë ambicie. Por kur bëhet e vërtetë, është çmenduri. Për të qenë i sinqertë, duke qenë se jam i ri, nuk kam pasur kurrë kufizime në ambiciet e mia”.
Racizmi në futboll – “Duhet të flasim për të, duhet t’i japim fund. Unë jam gati të ndihmoj”.
E ardhmja – “Dua të jem më shumë se ai që gjuan topin dhe i jep fund karrierës, shkon në jaht dhe shijon paratë e tij. Njerëzit mund të mendojnë se është shumë dhe se duhet të përqendrohem te futbolli. Unë nuk mendoj kështu. Bota ka ndryshuar”.
Rritja – “E vetmja gjë për të cilën pendohem është të bëhem burrë kaq shpejt. Kjo është jeta që kam dashur gjithmonë. Është ndryshe, por jam i lumtur dhe mirënjohës”.