Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, sërish ka mbrojtur idenë e tij për ndryshimin e kufijve, pavarësisht se ideja e tij nuk gjen mbështetje te subjekti i tij politik. Ai në emisionin Imazh në RTK ka thënë se mendimi i tij për ndryshimin e kufijve ndryshon nga ai LDK-së.
“Mendoj se kjo do ndihmonte në pajtimin e Kosovës me Serbinë, kjo është njëra nga rrugët e zgjidhjes se problemit në mes të dy vendeve”, tha Haziri, duke shtuar se me ndërrimin e territorit Kosova nuk do të humbiste asgjë.
“Tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi janë peng i politikës. Ndërrimi i territorit nuk do të dëmtonte Kosovën, kjo do të ishte e mundshme me një marrëveshje në mes dy shteteve”, u shpreh ai.
Sipas tij, shqiptarët si shumicë në Luginën e Preshevës, duhet t’i bashkohen Kosovës dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë. Ndryshe, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar idenë për ndryshimin e kufijve, duke thënë se kryetari i LDK-së Isa Mustafa duhet ta disiplinojë Lutfi Hazirin.