Rreth 800 biznese, që kryesisht ishin familjare, janë mbyllur gjatë vitit 2020 në Komunën e Gjilanit, si pasojë e pande misë CO VID-19. Por kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, thotë se kanë arritur ta menaxhojnë mirë pande minë.
I pari i Gjilanit thotë se gjatë vitit që lamë pas kanë arritur me të realizojnë të gjitha projektet e parapara për vitin 2020. E këtë vit, synon të kthejnë Gjilanin në qytet të biçikletave.
Haziri tregon se nuk synon një mandat tjetër në krye të Gjilanit, ndërsa shton se ka përmbushur të gjitha projektet e synuara për komunën, e ato pak që kanë mbetur thotë se do të përfundojnë këtë vit.
“Ne jemi ballafaquar prej 22 shkurtit me pande minë në Gjilan, kemi filluar masat e para, ndërsa më 13 mars, qeveria ka nxjerrë vendime ekzekutive sipas rekomandimeve të IKSHP-së dhe ne i kemi respektuar.[…]Gjatë gjithë vitit, përkundër vështirësive, ne kemi ndërhyrë në 16 familje, me asistencë sociale, kemi ndërhyrë në sektorin e ekonomisë së vogël apo ekonomisë familjare dhe kemi arritur të ruajmë së paku deri në këtë fazë, deri në miratimin e pakos ekonomike të qeverisë, edhe mirëqenien ekonomike në komunën e Gjilanit”, thotë Haziri.
Komuna e Gjilanit, gjatë vitit të kaluar ka punuar mbi baza ditore në parandalimin e pand emisë.
Haziri thotë se janë shquar për menaxhim të mirë, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre.
“QKFM-ja ka arritur që deri në 92 vizita ditore t’i ketë në familje dhe e ka larguar nevojën që qytetarët të shkojnë në spital për trajtim. E ka ulur edhe arsyen, edhe numrin, edhe kërkesën që njerëzit të adresohen në spital. Nëse shkon ekipi i mjekëve, e trajton edhe të sëmurin me CO VID në shtëpi, i jep asistencë, këshilla mjekësore, edhe ilaçet që ne i kemi siguruar, atëherë natyrisht që është trajtuar dhe janë mirëpritur mënyrat e tilla të tretmanit. Spitali ka qenë më i shkarkuar, ka pasur situata siç i kemi pasur në gusht dhe shtator, ku është tensionuar Spitali i Përgjithshëm për shkak të numrit të madh, dhe mungesës së mjeteve, por është arritur të përballohet me këto kapacitete që i kemi”, tregon ai.
Sipas vlerësimeve të Komunës së Gjilanit, del se nga pande mia është prekur më së shumti ekonomia e vogël.
Ndërkohë që është paralajmëruar përshkallëzim i situatës, kryetari Haziri shprehet optimist se një gjë e tillë do të evitohet me vaksinimin e popullatës.
“Kemi humbur afër 780 vende të punës që kryesisht ishin biznese familjare, ata që nuk kanë mundur të përballojnë mbylljen totale. Pjesa tjetër, sektorët e shërbimeve, në veçanti gastronomia është e rrezikuar. Ndryshimi i afateve në hapje – mbylljen e lokaleve, kufizimet, masa e shfrytëzimit, vendi sa mund të shfrytëzohet, të gjitha këto kanë bërë që të ketë një impakt serioz në biznesin e tyre. Por, po shpresoj që subvencionet e pakos ekonomike ta lehtësojnë pak. Edhe sektori i shërbimeve të transportit ka pasur ndikim. Subjektet e tjera e kanë përballuar më mirë”, shpjegon Haziri.
E pavarësisht problemeve me pande minë, i pari i Gjilanit thotë se edhe vitin që lamë pas nuk kanë munguar investimet infrastrukturore dhe ato publike, ndërsa shton se një vonesë 6 mujore i ka prekur projektet afatmesme.
Siç thotë ai, investimet në zonën e parë të qytetit janë ato në të cilat do të punohet edhe këtë vit në to.
“Ne po mendojmë në investimet tona publike në zonën e parë me e ulë nevojën e përdorimit të veturave në qytet, me e kthy në një qytet të biçikletave, jo pse e kemi fabrikën e biçikletave, të vetmen në Kosovë, por edhe me e largu përdorimin e veturave sepse infrastruktura do të ndërtohet në mënyrë që qytetarët me pas mundësi dhe qasje të barabartë me dalë në qytet pa u pengu dhe në afat shumë të shkurtër”, thotë ai.
Tutje, Haziri tregon se ky është mandati i tij i fundit në krye të Gjilanit, dhe se kryetarit të ri nga investimet infrastrukturore do t’i mbetet ndërtimi i objektit të ri të komunës.
“Unë jam këtu deri kur pritet të përfundojë mandati sepse zgjedhjet e rregullta pritet me qenë diku në tetor të vitit të ardhshëm. Sidoqoftë, do të varet krejt prej zhvillimeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme që i kemi por, asnjëherë nuk ka ndodhur që zgjedhjet lokale të mos mbahen në kalendarin e vet, që nga pavarësia. Deri atëherë nuk kam asnjë plan tjetër, asnjë kërkesë tjetër. Dua t’ju qëndroj besnik qytetarëve të Gjilanit, të cilët më kanë votuar për të qenë 4 herë kryetar i Gjilanit, 3 herë me qenë deputet i tyre dhe 3 herë me qenë në qeveri. Jashtë votës nuk shoh legjitimitet tjetër”, thekson ai.
Përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia, Lutfi Haziri thotë se gjatë 2020-ës, Gjilani arriti të identifikohet si kryeqytet i kulturës, e kjo pasi kanë arritur të zgjedhin statusin e Ansamblit të aktorëve dhe punonjësve të teatrit.