Frika është ndjenja e vetme që më lidhte me Prishtinën dhe në përgjithësi me Kosovën, në jug të lumit Ibër. Prijekti i DW #Generation99 ishte një shans ideal për t`u njoftuar me gjendjen reale. Shkruan Andrija Lazarevic.
Me afrimin në vendkalimin administrativ në “Merdarë” (pala serbe u thotë vendkalimeve kufitare, si vendkalime andministrative – shënim i Redaksisë) forcohej edhe ndjenja e shqetësimit dhe kureshtjes së brendshme. Është pikëlluese që këtë pjesë të Kosmetit (shënim i Redaksisë: Shumë serbë dhe zyrtar të Beogradit, Kosovën e quajnë “Kosmet” apo “Kosovë e Metohi”!) po e shoh per herë të parë tani pas 20 vitesh, edhe pse kam lindur atje. Deri në Prishtinë na u deshën më pak se 50 minuta. Ndjenjat e mija ndërronin. Shikoja shtëpitë e shqiptarëve dhe kërkoja dallime në të gjitha gjërat – prej numrit të dritareve e deri tek dukja e oborreve, dyqaneve…
Më në fund arritëm në Prishtinë. Përshtypja ime e parë ishte se ky qytet kishte tepër dritë, ndosha për shkak të dekorimeve të fundvitit apo diçka tjetër, nuk jam i sigurt. Duke shetitur rrugëve kuptova se gati çdo gurë në Prishtinë ruante historinë e para luftës. Prej godinave të fakulteteve e deri tek biblioteka dhe manastiri “Spas Hrista”, i cili gjendet në qendër të qytetit dhe i cili shkakton mendime të ndryshme tek shqiptarët.
Relaksimi i ngadalshëm
Nëpër Prishtinë shetisnin të rinj, ndërsa ndjenja ime e tensosjes së brendshme ishte gjithnjë e më e vogël. Erdhi edhe kontakti i parë me shqiptarë të rinj. Së bashku kaluam një kurs të shpejtë gazetarie, për raportim me telefona celularë dhe shkëmbyem mendime për gjendjen aktuale në vend. Qasja e tyre në fillim nuk më pëlqeu. Argumentet e tyre ishin bukur kontradiktore, në njërën anë bënin thirrje për paqë e në anën tjetër hidhnin të dhëna statistikore për gjakderdhjet në Kosovë e Metohi (Kosovë – shënim i Redaksisë!) gjatë vitit 1999.
Pjesërisht kuptoj nevojën e tyre. Në mendjet tona janë ngulitur thellë rrëfimet e prindërve dhe farefisit tonë, që ka ndikuar edhe në krijimin e mendimeve tona. Për shkak të gjërave që kanë bërë shqiptarët në të kaluarën, unë kurrë nuk kam menduar se “të gjithë shqiptarët janë fajtorë”. Ndërsa këto dy ditë i kam dhënë vetes shansin që t’i njoh më mirë shqiptarët. U binda se edhe bashkëmoshatarët e mi i kishin dhënë vetes këtë shans.
Vizita në Mitrovicë dje kalimi në “anën tonë”
Përveç Prishtinës, patëm mundësinë të vizitojmë edhe Mitrovicën e Jugut, të cilën nga pjesa veriore e ndanë ura e famshme mbi lumin Ibër. U takuam me nënkryetarin e bashkisë së Mitrovicës së Jugut dhe biseduam me te – theksi i bisedës ishte e kaluara. Më pas u ndamë në disa grupe (studentët pjesëmarrës të projektit janë ndarë në disa grupe dhe kanë bërë intervista apo reportazhe të përbashkëta – shënim i Redaksisë) dhe bëmë ca intervista, aplikuam ato që mësuam për raportimin gazearesk me telefona celularë.
Pjesa më e rëndësishme e kësaj vizite për mua ishte gjithsesi vizita në veri, ai momenti i kalimit nga njëra anë në tjetrën, në “anën tonë” të urës, kur më vërshuan emocione të shumta. Në fund të një dite shumë përmbajtësore dhe të lodhshme, u kthyem në hotel në Prishtinë.
Ndryshimi i mendimit
Koha për përmbledhjen e përshtypjeve. Të gjithë ne ndryshuam rrënjësisht mendimet tona brenda vetëm dy ditësh. Në pyetjen (e organizatorëve) çfarë do të bësh kur të kthehesh nga Prishtina në Beograd, u përgjiga: “Familjes time dhe miqve nesër do t’ua tregoj një storje krejt tjetër për Kosvoën nga ajo që e mendojnë ata”. Këtë edhe e kam bërë menjëherë pas kthimit në Beograd!
Dëshira ime është që ndriçimi i përmendur të fillim të jetë simbol i një të ardhme sa më të ndritur të mundshme dhe që rrëfimet për paqen të mos jenë vetëm rrëfime të kota politike, por të jenë realiteti ynë i ardhshëm. Në fakt, dëshiroj të jetojmë në paqë – asgjë tjetër!/DW
Andrija Lazareviq është student i gazetarisë në Beograd, i lindur në veri të Kosovës. Ai ka lindur në Kosovë, por për herë të parë në jug të lumit Ibër ishte në kuadër të Projektit të Deutsche Welles #Generation99, ku janë mbledhur studentët e lindur në kohën e luftës së Kosovës, në vitin 1999. Vizita në Kosovë është realizuar me 12-13 dhjetor. Ndërsa më parë studentët nga Serbia dhe Kosova janë takuar për herë të parë ne qershor, në Kumanovë, në 20-vjetorin e nënshtrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.