Prokuroria në aktakuzën e parë të rastit Veteranët kishte përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës. Mirëpo, në përmirësimin që Gjykata Themelore e Prishtinës kishte kërkuar nga Prokuroria, kjo e fundit në aktakuzën e re i ka hequr nga lista e veteranëve të rrejshëm 738 emra.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, ka shkruar lajmi.net.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave tjerë të përfitojnë kundërligjshëm, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës se Kosovës.
Pensionet e marra nga veteranët e rrejshëm, të cilësuar kështu nga prokuroria, nga fillimi i viti 2015 deri në muajin gusht 2018 buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëmin në shumën prej 88,769,217.04euro, e cila nëse llogaritet për çdo muaj dëmi është 3,315,00 euro.
Prokuroria, gjithashtu thotë se posedon audio-incizime dhe dokumentacione nga më të ndryshme që vërtetojnë se të lartpërmendurit kanë abuzuar me detyrën zyrtare.