Edhe pse është shteti me dendësinë më të madhe të popullsisë në Afrikë, me burime të kufizuara financiare, si shtet me të ardhura të pakta, Ruanda po dallon si një ndër shtetet e paktë që po menaxhon më mirë krizën e koronavirusit.
Ruanda ka vënë në zbatim strategjinë e testimeve rastësore. Në rrugët e qyteteve, punonjësit e shëndetësisë pyesin njerëzit nëse duan t’i nënshtrohen testimit. Testet dërgohen menjëherë për analizim, veprim ky që ka ndihmuar ndjeshëm në kapacitetin e shtetit për të identifikuar dhe përmbajtur në shifra të ulëta rastet me koronavirus. Çdokush që del pozitiv nga testi përfiton karantinë dhe kurim falas në klinika dhe spitale shtetërore.
LEXO EDHE:
Infektologu Hamdi Ramadani: Duhet të bëhen së paku 100 teste në 1 mijë banorë
Suksesi i Ruandës me menaxhimin e krizës së pandemisë ka të bëjë me faktin se masat u morën shumë kohë para se koronavirusi të mbërrinte në vend.
Përgjatë dekadës së fundit, Ruanda ka përmirësuar ndjeshëm sistemin shëndetësor, duke qenë shumë më e përgatitur se shtetet fqinje në përballimin e pandemisë. Teknologjia ka luajtur gjithashtu rol. Në spitale, robotët po përdoren si infermierë për t’u shërbyer të sëmurëve, ndërsa në zonat e largëta, ku nuk ka rrugë, ilaçet shpërndahen me dronë.
Deri tani, sipas shifrave të publikuara nga Universiteti “Johns Hopkins”, Ruanda, me një popullsi prej 12,5 milionë banorësh, ka vetëm 1689 raste të konfirmuara me koronavirus dhe vetëm 5 viktima.