Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të intervistojë presidentin Hashim Thaçi si dëshmitar.
Kurti ka folur të premten në lidhje me kërcënimin që iu bë përmes Facebookut nga “Garda Vullnetare Shqiptare”, e për të cilin Thaçi tha se ka informacione se është “vepër” e vetë kryeministrit në detyrë, përcjell KP-ja.
“Presidenti meqë ka informacione të tilla do të duhej të intervistohej nga prokurori i shtetit së paku si dëshmitar. Nëse paska informacione të tilla, ai duhet t’i ndihmojë institucionet e drejtësisë të zbardhin këtë kërcënim ndaj meje”, tha Kurti të premten, pasi bëri homazhe në 21-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës.
Kurti shtoi se Thaçi është i frustruar dhe në panik.
“Këto janë deklarata të pamatura të presidentit të frustruar dhe në panik. Presidenti duhet të reflektojë unitetin e popullit. Ai po e sulmon qeverinë në detyrë pas mocionit të detyrës”, tha ai.