Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me përfaqësuesit e Sanxhakut, transmeton Infoline-News.
Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për media nga kryeministria, teksa u tha se temë diskutimi ishte gjendja me pandeminë në këtë rajon.
“Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti ka vendosur kontaktet dhe ka zhvilluar biseda telefonike me përfaqësues të Sanxhakut, përkatësisht me znj. Jasmina Curië, Kryetare e Këshillit Kombëtar Boshnjak, me z. Hazbo Mojovië, Kryetar i Komunës së Sjenicës, dhe me z. Kenan Hot, Kryetar i Komunës së Tutinit. Kryeministri u interesua rreth gjendjes në këtë rajon, në veçanti mbi luftimin dhe parandalimin e shpërndarjes së pandemisë COVID-19”, thuhet në komunikatë.
Sipas asaj që thuhet në njoftim, gjendja në këtë trevë është e menaxhueshme dhe shpresdhënëse.
“Të gjithë po ballafaqohen me të njëjtat sfida. Deri më tani situata është e menaxhueshme dhe shpresëdhënëse drejt daljes nga kjo krizë shëndetësore. Kryeministri shprehu mbështetjen dhe solidarizimin e tij dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës me krahinën e Sanxhakut në luftën e përbashkët kundër këtij armiku të padukshëm. Të gjithë u pajtuan që të vazhdohet komunikimi dhe bashkëpunimi”, përfundon komunikata.