Aktivistët të cilët janë bashkuar përmes faqes “Dhunuesi je ti” do të këndojnë sot përpara Qeverisë së Kosovës himnin feminist “Dhunuesi je ti” apo “Një dhunues në rrugën tënde” i grupit “Las tesis” nga Kili e cila është protestë dhe përpjekje për të ngritë vetëdijen kundër dhunës ndaj grave.
Në Kosovë, vetëm gjatë tre vjetëve të fundit janë vrarë 11 gra si pasojë e dhunës në familje. Në këtë periudhë ka pasur 3 mijë e 394 gra që kanë raportuar dhunën.
Aktivistet thonë se në Kosovë, por edhe kudo në botë, dhuna vazhdon të mos njihet në të gjitha format e saj. Sipas tyre, dhuna seksuale, emocionale, ekonomike e fizike që ushtrohet ndaj grave normalizohet nga shoqëria dhe shteti ndërsa viktimat vazhdojnë të fajësohen e dhunuesit nuk dënohen. “Me fjalët ‘Dhunuesi je ti!’ ne i drejtohemi institucioneve tona që shtypin e dhunojnë gratë, si ato shtetërore e shoqërore.
Me këtë thirrje, ne i bashkangjitemi zërit të grave gjithandej globit në përpjekje për t’u dëgjuar si një zë i fuqishëm që kundërshton një jetë me dhunë në çdo formë”, thuhet në njoftim.