Gjykata Themelore e Ferizajt ka nisur seancën e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale kundër të pandehurve, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me vdekjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, në gusht të vitit të kaluar.
Krivaqa akuzohet se më 21 gusht 2021, në ditën e vdekjes, e ka dhunuar viktimën në dy raste. Ndërsa, Sejdiu akuzohet se e ka ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Sipas aktakuzës të pandehurit e kanë dhunuar seksualisht deri sa viktima ka humbur vetëdijen.
Më 6 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.
18-vjeçarja ishte lënë në ambientet e Spitalit të Ferizajt pa shenja jete, derisa të dyshuarit, Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu kishin ikur. Sejdiu ishte arrestuar i pari nga Policia e Kosovës, derisa disa ditë më vonë autoritet arritën ta vënë nën pranga edhe Krivaqa.
Sahit Krasniqi, kryetar i trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj me fillimin e seancës të mërkurën ka njoftuar të pandehurit për procedurat dhe mbajtjen e rendit, ndërkaq prokurori i rastit Valdrin Avdiu ka lexuar aktakuzën.
Krivaqa dhe Sejdiu janë deklaruar të pafajshëm.
“Aktakuza e prokurorit nuk qëndron dhe nuk ka të bëjë me realitetin”, ka thënë Krivaqa.
Në 24 faqe qe përshkruar dhuna të cilën Prokuroria thotë se dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu ushtruan ndaj Marigona Osmanit.
“Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga videoincizimet, si dhe fotot e bëra nga njësia e forenzikës, ku vërehen në tërë trupin e të ndjerës, hematome, si dhe dërrmishje. Po ashtu gjatë dhunimit është përdorur edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse, e në bazë të dëmtimeve trupore rezulton se e njëjta është përdorur nga i pandehuri Dardan Krivaqa, gjithashtu fakti se në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë e po ashtu janë gjetur shishe, të zbrazura dhe gjysmë të zbrazura, është rrethanë që tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndiejë sa më shumë dhimbjet ujin e ka përdorur për ta këndell”, thuhet në njërën nga përshkrimet, bazuar në aktakuzën e plotë që e ka siguruar KOHA.
Në raportin e autopsisë së trupit të të ndjerës janë konstatuar lëndime gjithandej fytyrës e trupit.
“Tutje në raport – konkluzioni rezulton se vdekja e të ndjerës Marigona Osmani, ka ardhur për shkak të politraumës (lëndimeve të shumëfishta), ku politrauma dhe vdekja ka ardhur drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike dhe shoku hemorragjik e traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme (nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme-mandibullës, pastaj thyerje e brinjëve 2 djathtas dhe 1-3 majtas, klavikulës së majtë, unazave 1-2 të qafës mes tyre, gjakëderdhjes epidural dhe subdural në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, si dhe këputjes parciale të palcës së kurrit në qafë, të cilat kanë ardhur nga shtypja, goditjet apo përplasja nga ndonjë mjet të fortë dhe të rëndë mbetës”, thuhet midis të tjerash në aktakuzë. /Koha