Kosova ka fituar njohje zyrtare nga Amazon dhe është përfshirë tashmë në të gjitha platformat e Amazon.
Përmes një njoftimi për media nga zyra e presidentes dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë bëhet e ditur se me përfshirjen e saj në te gjitha platformat e Amazon, Republika e Kosovës shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin dhe transformimin digjital të vendit.
“Kjo arritje vjen si rezultat i takimeve të nivelit të lartë të mbajtura në tetor 2024, ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe përfaqësuesve të gjigantit teknologjik Amazon në Washington D.C., SHBA. Këto diskutime janë gjithashtu pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmarra nga Task Forca për Diplomacinë Digjitale, një iniciativë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me mbështetje të rëndësishme nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë”, thuhet në njoftim.