Një raport nga Anketa Botërore e Riskut nga Fondacioni Lloyd’s Register, i bërë publik në fillim të kësaj jave që po e lëmë pas, që rendit Kosovën (edhe Malin e Zi dhe Shqipërinë) ndër vendet më të ndotura në botë, tregon se ndotës potencial i përmasave shqetësuese pos tymtarëve të termocentraleve të Kosovës, është edhe menaxhimi i keq i mbetjeve shtëpiake.
Ishin banorët e Obiliqit dhe të fshatrave përreth termocentraleve Kosova B dhe Kosova A, të cilët ditë më parë alarmuan (për të satën herë) opinionin për nivelin enorm të lartë të ndotjes së ambientit nga tymi dhe grimcat e hirit nga “vjellja” e termocentraleve të vjetra të Kosovës. Retë masive të ndotësve tashmë të ditur nga prodhimi i energjisë elektrike me qymyrin si burim kryesor energjetik, që me ditë të tëra në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit, sipas shumë banorëve bashkëbisedues të medieve, në përmasa kaq të mëdha, ishin pasojë e drejtpërdrejtë e heqjes nga operimi të elektrofiltrave nga KEK-u, po ashtu shumë të vjetër, që Korporata Elektroenergjetike herë pas herë e bënë me qëllim të “kursimit” të parave.
Sipas banorëve, elektrofiltrat ekzistues, edhe pse janë shumë të vjetër dhe janë vetëm pjesërisht të efektshëm në parandalimin e ndotjes nga djegja e qymyrit, kur janë jashtë përdorimit, në fshatrat përreth kompleksit elektroenergjetik te vendit, e bëjnë jetën shumë të vështirë. Rrezikohet, para së gjithash shëndeti i qindra banorëve në radhë të parë nga pasojat e tymit dhe grimcave të hirit që dalin pa kontroll nga oxhakët e termocentraleve të Kosovës B dhe Kosovës B, keqësohet gjendja e qindra të sëmurëve kronikë si pasojë e ndotjes së pamatë të ajrit, ujit dhe tokës, por edhe paraqiten raste të reja të të sëmurëve, tashmë numerikisht të shumtë.
Për gjendjen skajshmërisht të ç’ekuilibruar dhe në përmasa të frikshme të ambientit si pasojë e ndotjes së madhe, Një raport nga Anketa Botërore e Riskut nga Fondacioni Lloyd’s Register i bërë publik në fillim të kësaj jave që po e lëmë pas, që rendit Kosovën (edhe Malin e Zi dhe Shqipërinë) si një ndër vendet më të ndotura në botë, tregon se ndotës potencial i përmasave shqetësuese, pos tymtarëve të termocentraleve të Kosovës, është edhe menaxhimi i keq i mbetjeve shtëpiake. Sipas këtij raporti, Kosova rangohet ndër 10 shtetet me një sjellje familjare të papërgjegjshme për hedhjen e mbeturinave në mbarë botën, e bashkë me këtë edhe si një ndër vendet më të ndotura në botë, dhe ky fakt është shumë shqetësues dhe duhet të jetë shumë alarmues edhe për autoritetet dhe zyrtarët e Republikës, për ta kthyer urgjenntisht vëmendjen te menaxhimi i kërkuar siç duhet dhe siç parashihet i mbetjeve shtëpiake. Kjo, për shkakun e thjeshtë se mosmenaxhimi siç duhet i mbetjeve shtëpiake shkakton njësoj probleme dhe është, poashtu rrezik për shëndetin e njerëzve, thuaja po aq sa “vjelljet” e helmeve nga termocentralet e stërvjetruara të vendit.
Çka thotë raporti nga Anketa Botërore e Riskut nga Fondacioni Lloyd’s Register, që është i bazuar në të dhënat e sondazhit global “Gallup”, i cili realizoi 147.000 intervista në 142 vende dhe territore anembanë botës dhe ku renditet Kosova në këtë “listë të zezë” të këtij sondazhi me përmasa globale?
Për fat të keq, edhe në këtë plan, në mos menaxhimin siç duhet të mbetjeve shtëpiake, Kosova renditet shumë keq, si një ndër shtetet që kategorizohen më së keqi në listën e vendeve ku njerëzit nuk i ndajnë mbeturinat shtëpiake para deponimit. Më saktësisht, Kosova renditet e treta pas Bregut të Fildishtë dhe Gabonit. Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë pozitën e nëntë në tabelë, me rezultate pak më të mira se Togo, Kameruni, Benini, Liberia dhe Republika e Kongos.
Ky dështim i Kosovës, sipas raportit, është pasojë e “mungesës së njohurive, vetëdijes dhe edukimit në mesin e popullatës së përgjithshme që kanë penguar progresin drejt ndarjes më të madhe të mbeturinave shtëpiake në burim”.
“Duhet të ofrohen më shumë programe arsimore dhe ndërgjegjësuese”, thuhet në raport.
Dhe, këto vlerësime të këtij raporti janë tejdukshëm turpëruese për imazhet e shtetit tonë të brishtë, por veçanërisht duhet të turpërojë autoritetet, zyrtarët dhe njerëzit kompetentë, që kanë obligim dhe paguhen edhe për menaxhimin siç duhet të mbetjeve shtëpiake. Edukimi i popullatës, ngritja e vetëdijes për domosdonë e vendosjes së rregulltë të mbetjeve shtëpiake dhe ndarjes së tyre, i stopimit të djegies së hapur dhe hedhja e tyre në rrugë, siç bëhet në të gjitha shtetet normale dhe pasja dhe aplikimi i sa më shumë programeve arsimore dhe ndërgjegjësuese, që i kanë munguar Kosovës që renditet thuaja barabartë me Bregun e Fildishtë dhe Gabonin në menaxhimin e mbetjeve shtëpiake, nuk do as shumë para, as ndonjë përkushtim që nuk do të kishte mundësi të realizohet institucioonalisht (nga njerëzit që paguhen për këtë punë). Do vetëm përgjegjësi normale institucionale, pak përkushtim për ta bërë Kosovën shtet normal edhe në planin e menaxhimit të mbetjeve shtëpiake dhe, natyrisht, përgjegjësi për dështakët konkrete për këtë njollë të vënë Kosovës, shtetit shumë pranë qendrës së Europës.
Kosova, megjithë të metat në sistemin arsimor e edukativ në këto vite, ka njerëz, ka kuadro, që do t’ia dilnin të krijojnë një menaxhim të kërkuar të mbetjeve shtëpiake. Por, edhe nëse nuk ka, duhet krijuar urgjentisht këto kuadro dhe duhet mësuar nga përvojat e shteteve që tashmë ndarjen dhe sistemimin e mbetjeve shtëpiake e kanë bërë punë normale dhe rutinë të përditshme, nga e cila pos përfitimeve nga riciklimi i tyre, përfitojnë edhe më shumë në ruajtjen e ambientit të pastër dhe të pandotur nga mbetjet shtëpiake. Sepse, Kosova duhet të veprojë dhe të sillet si shtetet normale të Europës edhe në menaxhimin e mbetjeve shtëpiake. Prandaj, rangimi kaq i keq i Kosovës në menaxhimin e mbetjeve shtëpiake, duhet të jetë një alarm dhe përkujtesë urgjente për zyrtarët kompetentë – se është detyrë e tyre evitimi i ndotësve të përmasave degraduese të tokës, ajrit dhe ujit të Kosovës, sikundër që është obligim i ruajtjes së shëndetit të qytetarëve të këtij vendi nga pasojat e ndotjes së ambientit. /Buletini Ekonomik/