Përderisa ka vazhduar traditën e përfaqësimit në atë që njihet si “Marché du Film” në Festivalin e Filmit në Cannes, sivjet Kosova ka edhe më shumë fuqi të prezantohet si vend me potencial filmash të mirë. Dhe një fuqi si kjo ia jep filmi “Rrugës” i Samir Karahodës, që e fut vendin në mesin e atyre që presin “Palmën e Artë”. Është po ky regjisor që e bëri këtë edhe me “Pa vend” dy vjet më parë. “Fakti që kemi filma sikur ‘Rrugës’ i Samir Karahodës e mbështet shumë idenë tonë që në të ardhmen ta kemi një industri të fuqishme të filmit në Kosovë”, ka thënë Blerta Zeqiri, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës
Valimi i flamurit të Kosovës në Cannes si kryeqendër botërore e filmit tashmë është shndërruar në traditë, por sivjet ka edhe më arsye që të marrë vëmendje, sepse i jep krah “Rrugës” i Samir Karahodës që pret “Palmën e Artë”. Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur shtandin në atë që njihet “Marché du Film” (Tregu i Filmit), më i madhi në botë i fushës së kinematografisë. Aty takohen alamet shtëpish filmike, producentë e kineastë, lidhen kontrata, ftohen produksione të xhirojnë në vende përkatëse. Mbi të gjitha, shtetet garojnë për të dëshmuar se kanë potencial për filma të mirë, konkurrentë edhe për Festivalin e Filmit në Cannes, që prej të martës ka ndezur projektorët e edicionit të 77-të. E, QKK-ja sivjet e ka më të lehtë ta dëshmojë këtë njësoj si dy vjet më parë me “Pa vend”, njësoj të Samir Karahodës, po ashtu konkurrent për çmimin e madh.
Me diell ka qenë e enjtja në qytetin e rivierës franceze, e shtandi i QKK-së – i përbashkët me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë së Shqipërisë – ka pasur goxha vizita. Posteri i “Rrugës” – që do ta ketë premierën botërore të premten e ardhme – është qendror në pjesën e brendshme të shtandit nr. 138.
“Tashmë kanë filluar takimet e shumta të producentëve me producentë të tjerë. Puna ka filluar për filmat e rinj të cilët do të realizohen në të ardhmen. Ne si QKK jemi të gatshëm dhe kemi ofruar mundësinë që të gjithë t’i kenë takimet këtu në shtandin tonë. Jemi si një lloj ure ndërlidhëse për ata që duan të bëjnë filma. Ky është vetëm fillimi”, ka thënë të enjten Blerta Zeqiri, drejtoreshë e QKK-së, në lidhje direkte nga Cannesi në emisionin “Express” të Kohavisionit.
Kur Zeqiri – e cila dikur Cannesin do ta vizitonte si studente dy e kusur dekada më parë – thotë “ky është vetëm fillimi”, nuk ka fort dilemë edhe nëse flitet vetëm për edicionin e sivjetmë.
“Gjatë kësaj jave e kemi një risi, sepse e kemi një bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila na kanë mbështetur me produkte nga Kosova të cilat ne i dhurojmë këtu në qendër”, ka thënë ajo. Por arsye për fuqizimin e përfaqësimit është filmi konkurrent.
“Këtë vit jemi shumë me fat dhe shumë të lumtur që e kemi filmin e shkurtër të Samir Karahodës ‘Rrugës’ në garë zyrtare të Festivalit. Kjo na nderon jashtë mase neve si shtet, por edhe si Qendër Kinematografike, sepse është shumë e rrallë për një shtet të ketë film në garën zyrtare të Cannes. Për ne është edhe më e rrallë, sepse është hera e dytë që një regjisor vjen me filmin e tij të dytë, pra rikthehet në këtë garë, dhe kjo tregon që ne kemi talentë të shumtë, të rrallë dhe të jashtëzakonshëm të cilët duhet t’i mbështesim. Ne jemi shumë krenarë që e kemi filmin ‘Rrugës’”, ka thënë Zeqiri.
Suksesin e filmit të Kosovës, Zeqiri ia ka atribuuar edhe prezencës së QKK-së në festivale si ai i Cannes dhe Berlinales, që ka filluar vite më parë. Sivjet është e 13-ta herë që QKK-ja hap shtandin në festivalin e festivaleve.
“Këtu krijohen takimet më të mëdha dhe më të rëndësishme që pastaj sjellin filma, të cilët ne gëzohemi që i kemi dhe që po na nderojnë dhe krenojnë me sukseset e tyre”, ka thënë Zeqiri, duke shtuar se takimet më të rëndësishme janë ato që i zhvillojnë vetë producentët e filmit dhe kineastët e Kosovës. “Këtu është e gjithë industria e filmit në botë dhe janë të gjitha mundësitë për bashkëpunime”, ka thënë ajo.
Vitin e kaluar, për shembull, Kosova në Cannes kishte pasur përfaqësim të dyfishtë: nëpërmjet shtandit të QKK-së e po ashtu edhe nëpërmjet festivalit “DokuFest” i cili u bë pjesë e “Cannes Docs”. Cannes do ta ftonte festivalin kosovar gjithashtu edhe në forumin “Rendez-vous Industry”, dedikuar takimeve me profesionistë të filmave të shkurtër.
“Na shikojnë si profesionistë prej një vendi që sjell filma interesantë”, do të thoshte Zeqiri vitin e kaluar. U rikonfirmua fill pas një viti me “Rrugës” të Karahodës, bashkëproducent Errol Bilibanin e të tjerë emra që lidhen direkt me “DokuFestin”.
“Jemi duke e pritur me padurim premierën e filmit më datën 24 maj. Së shpejti vijnë edhe autorët e filmit. Do të jetë prezent këtu Samir Karahoda bashkë me ekipin e filmit. Më 21 maj në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Francë do ta mbajmë një organizim për nder të filmit dhe të regjisorit Karahoda, si dhe do t’i ftojmë të gjithë bashkëpunëtorët tanë që ta festojmë bashkë këtë moment të bukur”, ka thënë Zeqiri.
Me urimin për triumf, Zeqiri ka thënë se “Kosovës i mungon ‘Palma e Artë”.
“Duam ta kemi ‘Palmën e Artë’ e pastaj ta vendosim krahas edhe shpërblimeve të tjera që i kemi marrë nëpër festivale. Për shembull, sivjet e kemi marrë ‘Tigrin’ e Rotterdamit, në të ardhmen e duam edhe ‘Luanin’ e Venecias dhe kështu ta bëjmë një ‘kopsht zoologjik’ në Kosovë me çmime të arta”, ka thënë ajo. Ka folur për peshën e prezantimit të Kosovës.
“Sepse këtu i tregojmë botës se jemi, ekzistojmë dhe po e marrim filmin shumë seriozisht. Për këtë arsye këtu afër i kemi të gjitha shtetet e tjera të botës që prezantohen në festival dhe i kanë hapur këto shtande që janë ndërlidhëse ku e promovojnë filmin dhe industrinë e tyre”, ka thënë Zeqiri ,dhe ndërlidhja me “Rrugës” është e pashmangshme.
“Është shumë me rëndësi që t’i tregojmë botës që ne jemi këtu dhe jemi të gatshëm dhe dimë të bëjmë filma. Fakti që kemi filma sikur ‘Rrugës’ i Samir Karahodës e mbështet shumë idenë tonë që në të ardhmen ta kemi një industri të fuqishme të filmit në Kosovë dhe të krijojmë gjithashtu shumë vende të reja të punës për të rinjtë në industri kreative, sidomos me veçanti të madhe në industrinë e filmit”, ka thënë Zeqiri.
Kinematografia kosovare në Cannes kishte nisur historinë pikërisht me festivalin ndërkombëtar të dokumentarëve dhe filmave të shkurtër “DokuFest”. Në qershor të vitit 2021 për herë të parë një film vendor ishte futur në garë për “Palmën e Artë”. Filmi i shkurtër i Samir Karahodës, “Pa vend” ishte pjesë e konkurrencës zyrtare në kategorinë e filmave të shkurtër. Atë vit gjithashtu ishte dhënë premiera botërore e filmit “Luaneshat e kodrës” nën regji të Luana Bajramit, në kuadër të “Director’s Fortnight” të Festivalit të Cannes. Në anën tjetër, edhe një aktor nga Kosova parvjet ishte rikthyer në edicionin e 75-të të Festivalit të Cannes. Alban Ukaj kishte qenë në Festival prej 17 deri më 28 maj si rrjedhojë e rolit të tij në filmin “Tori and Lokita” të vëllezërve Jean-Pierre dhe Luc Dardenne. Ukaj ishte në Cannes po me një projekt kinematografik të vëllezërve Dardenne më 2008, kur së bashku me aktoren Arta Dobroshi luanin në filmin “Heshtja e Lornës”.
I zëshëm është emri i Kosovës sivjet në Cannes. Me “Rrugës” po se po. Dhe me shansin që prej atje do të kthehet me “Palmën e Artë”.