Komuna e Prishtinës vitin që shkoi, ka ndarë 350 mijë euro, për pacientët me sëmundje kronike, ku hyjnë sëmundjet malinje, diabeti me komplikime, sëmundjet e zemrës, e sëmundje të tjera. Por shumica e këtyre pacientëve që kanë përfituar, kanë qenë ata me sëmundje malinje.
Drejtori i Shëndetësisë i Komunës së Prishtinës Izet Sadiku, ka thënë për Indeksonlinen se edhe këtë vit komuna do t’i ndajë 300 mijë euro, për pacientët me sëmundje kronike.
E shuma të cilën mund ta përfitojë një pacient me sëmundje kronike është deri në 250 euro maksimumi. Sadiku thotë se vitin 2024 kanë aplikuar 5 mijë e 500 persona, ndërsa vetëm 1600 prej tyre kanë përfituar. E zgjedhja e personave që do të përfitojnë, bëhet pas një vlerësimi, nga komisioni profesional.
“Dhe këtë vit japim 300 mijë euro. Deri 250 euro është maksimumi që mund të përfitojë një pacient. Është një komision profesional, i cili i shqyrton kërkesat dhe të gjithë ata që i plotësojnë kushtet përfitojnë. Por një pjesë nga ky buxhet, së pari ndahet për pëacientët me sëmundjen e kancerit dhe pjesa tjetër pastaj për persona me sëmundje tjera kronike”, thotë Sadiku.