Pandemia COVID-19 ka shkaktuar krizë në të gjitha sektorët, e sidomos në sektorin e ekonomisë, por kjo nuk ka zmbrapsur kosovarët që të shijojnë pushimet verore në bregdetin shqiptar.
Ani pse kemi hyrë në javën e dytë të muajit shtator, moti i mirë ka bërë që shtetasit kosovarë edhe këtë fundjavë t’ia mësyjnë Shqipërisë.
Kujtojmë se Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se vetëm gjatë muajit gusht, 810 mijë e 71 qytetarë kanë kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri.
Krahasuar me vitin e kaluar ka pasur një ngritje të ndjeshme, meqë në vitin 2019 gjatë periudhës së njëjtë të vitit, kishin kaluar kufirin për në Shqipëri 686 mijë e 467 persona.
Kosovarët jo vetëm kësaj radhe por në vazhdimësi mbajnë primatin e turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit veror.