KESCO ka reaguar pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me ngritjen e çmimit të rrymës. Sipas tyre një gjë e tillë nuk rezulton, por rritja e vlerave të faturave këtë mund është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike.
Në komunikatën e lëshuar nga KESCO thuhet se “efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”.
“KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023.
Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Shih Vendimin e ZRrE-së.
Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike.
Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje.
KESCO është e përkushtuar në vazhdimësi që të bëjë thirrje për kursim dhe shfrytëzim efikas të energjisë elektrike, duke ndarë këshilla praktike për secilën kategori të konsumatorëve, pikërisht për të mbrojtur konsumatorin dhe sistemin elektrik nga këto ngarkesa.
ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00.
Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh.
Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh”, thuhet në komunikatën e KESCO.
Por, nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ka thënë se deri me tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë zyrtare nga konsumatorët në lidhje me faturat e muajit dhjetor 2023.
Në një përgjigje për teve1.info thuhet se nuk ka ngritje të çmimit të energjisë. ZRrE ka thënë se tarifat e energjisë janë duke u aplikuar sipas vendimit të datës 30 mars 2023.
“Çmimet e energjisë elektrike janë duke u aplikuar në te gjitha faturat e energjisë elektrike për energjinë e konsumuar sipas çmimeve te vendosura me datë 30 mars 2023 përmes vendimit V_1713_2023 nga Zyra e Rregullatorit për Energji, rrjedhimisht nuk ka ngritje të çmimit”.
Reagime për këtë çështje sot pati edhe nga përfaqësues të partive politike opozitare në vend.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se faturat e larta të energjisë elektrike janë goditja e radhës për familjet kosovare.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se “në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet “e fuqishme” të kësaj qeverie”.
“Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë”, ka shkruar ai.