Një prej banoreve të “Ferma VIP”, Elinara, ka ndarë me publikun një përvojë tronditëse nga adoleshenca e saj – një ngjarje që i ka lënë pasoja të thella psikologjike. Në një moment emocional brenda shtëpisë së famshme, ajo tregoi se gjithçka nisi kur ishte vetëm 18 vjeç, në përpjekje për të qenë e pavarur financiarisht gjatë pushimeve verore
“Gjatë pushimeve të verës, doja të isha e pavarur nga prindërit. Fillova punë në një butik. Një ditë po prisja autobusin për në punë dhe një komshi më ofroi të më çonte me një mikun e tij. E njihja, përshëndeteshim çdo ditë, nuk kisha pse mos ta besoja,” tregoi Elinara.
Por ajo që dukej si një mëngjes i zakonshëm, u kthye në një situatë të frikshme dhe të rrezikshme për jetën e saj.
“Makina mori një drejtim tjetër nga ai i qendrës, dhe shpejt situata u bë e frikshme. Shoferi kishte një vështrim të egër. U ktheva dhe pashë komshiun tim, ai më bëri shenjë me gisht ‘shttt’. Më kërcënuan: ‘Do të të vrasim.’ Në atë moment e kuptova që duhej të veproja,” rrëfeu ajo.
Elinara tha se falë një veprimi të guximshëm arriti të shpëtonte, edhe pse pësoi lëndime të shumta trupore.
“Hapa siguresën e makinës dhe u hodha nga makina në lëvizje. Rashë në rrugë pa ndjenja. Gjunjët, bërrylat, gishtat, ishin të gjithë të gjakosur. Por gjesti që bëra më shpëtoi jetën. Më mirë të humbja jetën, sesa të bija në duart e tyre,” tha ajo.
Ajo ka deklaruar se ngjarja la pasoja të mëdha emocionale dhe e ndryshoi mënyrën se si e perceptonte sigurinë dhe jetën e përditshme.
“Më ka lënë një traumë. Kishte shumë raste të përdhunimeve atëherë. Kisha frikë të dilja nga shtëpia. S’isha më e qetë, as kur isha vetëm, as kur isha me njerëz,” u shpreh ajo me zë të dridhur.
Për shumë vite, Elinara nuk kishte folur për këtë histori me askënd, as me familjen e saj, nga frika se do i shqetësonte.
“E mbajta për vete shumë vite,” përfundoi ajo rrëfimin, duke prekur publikun me guximin dhe dhimbjen që ka bartur në heshtje.