Momenti që Katari e ka pritur prej vitit 2010 ka ardhur.
Kampionati Botëror 2022 është gati për të filluar. Përpara ndeshjes hapëse të së dielës, emocioni është i dukshëm në të gjithë vendin e Lindjes së Mesme. Tifozët po kërcejnë nëpër rrugë, fanellat e futbollit po shiten, flamujt po zbukurojnë dyqanet, ndërsa rrokaqiejt janë mbushur me posterë gjigantë të heronjve të futbollit në lagjen Mansoura.
“Çdo ditë po shoh fytyra të reja nëpër rrugë”, tha Bernard Wanjiku, pronar i një dyqani.
Dyqani i tij i kozmetikës është transformuar tërësisht, pasi Wanjiku tani po shet edhe flamuj të përfaqësueseve pjesëmarrëse, fanella, topa dhe gjithçka që lidhet me futbollin dhe Kampionatin Botëror. Ai thotë se është i kënaqur me shitjen.
“Kur fillova me shitjen e flamujve, më të preferuarit nga blerësit ishin të Argjentinës e Katarit”, thotë ai, derisa në sfond dëgjohet kënga e Kupës së Botës. “Tani papritmas ka kërkesa të mëdha për flamujt dhe fanellat e ekipeve të Afrikës, ndërsa më të kërkuarat janë të Ganës, Senegalit e Marokut”.
Mansoura është shtëpia e komuniteteve të ardhura nga Afrika, Azia Jugore dhe Filipinet. Zona ka kaluar një transformim të kohëve të fundit me futjen e një stacioni metroje, ndërtimin e dyqaneve të reja dhe ndërtesave të banimit dhe punimeve në rrugë. Duke pasur parasysh vendndodhjen e saj, lagjja Mansoura është disa ndalesa metro larg nga disa stadiume të Kupës së Botës. Stadiumi 974 është më i afërti, vetëm gjashtë kilometra larg, përkatësisht 10 minuta me makinë ose tri ndalesa në metro. Musheireb, distrikti më i vjetër në kryeqytetin Doha, plotësisht e ndriçuar, tani është zonë e re me shkëlqim në qendër të qytetit. Shtëpi njëkatëshe prej balte, dyqane dhe restorante që datojnë nga vitet 1970 më nuk duken. Edhe rrugët e ngushta të bllokuara nga trafiku janë një gjë e së kaluarës. Ato janë zëvendësuar me një sistem tramvaji dhe ndërtesa të larta që përfshijnë hotele me pesë yje dhe restorante të nivelit të lartë.
Ndërtimi dhe rinovimi që filloi pasi Katari fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës, përfundoi disa javë më parë. Rregullimet e minutës së fundit dhe ngjyrosja e hoteleve dhe ndërtesave tjera tregojnë se punimet përfundimtare janë ende duke u zhvilluar. Tifozët që vizitojnë këtë lagje mund t’i shikojnë edhe ndeshjet e Botërorit në ekrane të mëdha.
Më pak se një kilometër larg është Souq Waqif, vendi më i popullarizuar i turistëve në Doha. Tani kjo zonë është shndërruar në zonë festive 24-orëshe, me tifozët nga e gjithë bota që qëndrojnë aty. 20 minuta më larg është parku Al-Bidda, i cili njihet zyrtarisht si festivali i tifozëve. Siguria është në nivel të lartë me barrikada dhe njësi policore që vazhdimisht patrullojnë. Por, kjo nuk është aspak pengesë për burrat, gratë dhe fëmijët e nacionaliteteve të ndryshme që të mblidhen dhe të këndojnë, kërcejnë dhe të brohorasin për ekipet e tyre.
Deri më tani ekipet që po brohoriten më së shumti janë Brazili, Argjentina, Maroku, Senegali dhe Anglia. Ndërkohë, Lionel Messi mbetet idhulli pothuajse i të gjithëve.
“Unë jam nga Katari, por bëj tifo për Argjentinën. Është shumë e thjeshtë, pasi e dua Leo Messin”, tha Sara al-Haji, studente.
Jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët janë të veshur me ngjyrat e ekipeve që do t’i përkrahin në Katar. Emocionet janë të mëdha dhe Katari me padurim po e pret të dielën ceremoninë hapëse të Botërorit dhe ndeshjen e parë. Dueli i parë i turneut, që për herë të parë mbahet në Lindjen e Mesme, do të jetë ai ndërmjet Katarit dhe Ekuadorit në kuadër të Grupit A. /koha