Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka njoftuar se në mesnatë ka hyrë në fuqi ndërprerja e përkohshme e të gjitha fluturimeve në ANP “Adem Jashari”, sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 13.03.2020 për ndërmarrjen e masave me qëllim të parandalimit të përhapjes së korona virusit COVID-19 në vendin tone, raporton zëri.
Pezullimi i përkohshëm vlen për të gjitha fluturimet me udhëtarë në bord, që arrijnë në ANP “Adem Jashari” përveç fluturimeve në shkuarje, pra nga Prishtina në drejtim të destinacioneve të ndryshme.
Përmes një komunikate, Aeroporti ka njoftuar se inspektorët e AAC-së, sot, e kanë monitoruar për së afërmi zbatimin e këtij vendimi.
“Lusim të gjithë udhëtarët që të kenë mirëkuptim për këto masa dhe të zbatojnë me përpikëri masat mbrojtëse të rekomanduara nga autoritetet përkatëse. Shpresojmë në përmirësimin e shpejtë të situatës dhe rikthimin e normalitetit në transportin ajror. Nuk ka vend për panik, vetëm për kujdes të shtuar”, thuhet tutje në këtë komunikatë.