Pse pirja e duhanit nuk i dëmton mushkëritë e të gjithë duhanpirësve njëlloj? Provat e reja nga një studim i publikuar në Nature Genetics zbulojnë nëse mushkëritë e disa personave kanë një mbrojtje të fortë dhe natyrale kundër mutacioneve përgjegjëse për shfaqjen e kancerit.
Gjetjet specifike konsiderohen si një hap i rëndësishëm drejt parandalimit dhe zbulimit të hershëm të rrezikut të kancerit të mushkërive.
Studiuesit krahasuan mutacionet në qelizat e mushkërive të 14 jo-duhanpirësve, të moshës 11 deri në 86 vjeç dhe 19 duhanpirësve, të moshës 44 deri në 81 vjeç. Qelizat e mushkërive u mblodhën nga pacientët që i nënshtroheshin testeve që nuk kishin lidhje me kontrollin e kancerit.
“Qelizat specifike të mushkërive kanë aftësinë të mbijetojnë për vite, madje edhe dekada, dhe kështu mund të grumbullojnë mutacione me kalimin e kohës dhe me pirjen e duhanit,” shpjegon autori kryesor i studimit Dr. Simon Spivack, profesor në Kolegjin e Mjekësisë Albert Einstein dhe pulmonolog në Qendrën Mjekësore Montefiore në qytetin e Nju Jorkut. “Nga të gjitha llojet e qelizave në mushkëri, këto kanë shanset më të larta për t’u bërë kanceroze.”
Konkretisht, ajo që studiuesit zbuluan është se megjithëse mutacionet grumbullohen në qelizat e mushkërive të joduhanpirësve me kalimin e moshës, më shumë mutacione u gjetën në qelizat e duhanpirësve.