Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka publikuar sqarime në lidhje me pakon emergjente të Qeverisë së Kosovës, për punëtorët të cilët punojnë pa kontrata, transmeton infoline-news.
Bislimi ka thënë qeveria do t’ua mundësoj punëdhënësve që të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars. Në rast se nuk ndodh kjo, këta punëtorë duhet të raportojnë statusin e tyre në Administratën Tatimore të Kosovës.
Për ata të cilët kanë punuar në “të zezën”, qeveria ka hapur një dritare që u mundëson punëdhënësve të fusin këta punëtorë në listat e tyre të pagave për muajin mars, dhe t’i pajisin me kontrata një vjeçare. Pastaj me efekt të menjëhershëm, këta punëtorë bëhen pjesë e përfitimeve nga pakoja (pika 1.14 e pakos). Në rast se nuk ndodh kjo, qeveria inkurajon punëmarrësit që të raportojnë statusin e tyre në administratën tatimore të Kosovës. Nëse punëdhënësit preferojnë të rrezikojnë edhe më tej operimin “në të zezën” dhe të ballafaqohen me konsekuencat ligjore përkatëse, atëherë punëmarrësit e prekur në raste të caktuara mund të përfitojnë nga pika 1.15 e pakos”, shkruan Bislimi.
Në këtë pako të emergjencave parashihet ndihmë edhe për punëtorët pa kontrata por edhe për ata që humbin venndin e punës në kohë të pandemisë, ka sqaruar Bislimi.
“Ne jemi të vetëdijshëm që një pjesë e punëmarrësve janë duke punuar pa kontrata. Ky lloj i angazhimit merr dy forma: ose punëtorët punojnë pa kontrata të vlefshme, por punëdhënësi i paguan rregullisht kontributet pensionale dhe obligimet tatimore; ose punëtorët angazhohen komplet në “të zezë”. Në rastin e parë mungesa e kontratës është gjithsesi problematike dhe ka nevojë të adresohet, POR kjo nuk ka efekt për pakon e masave emergjente. Kjo nënkupton, që për ne, në këtë fazë, mjafton informacioni që punëdhënësi i ka paguar kontributet pensionale dhe obligimet tatimore, andaj këta punëmarrës përfitojnë nga pakoja në të gjitha ato rastet kur punëdhënësi argumenton vështirësi financiare si pasojë e masave të qeverisë (pika 1.3.1 e pakos)”, sqaron Bislimi.