Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dragisha Milenkoviq, duke e dënuar me 7 vjet burgim për krime lufte në Kosovë. Kurse, për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë.
Në këtë rast, Dragisha Milenkoviq akuzohet se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj Milenkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.
Gjykatësi Krasniqi tha se ndaj Milenkoviqit lidhur me akuzën për krime lufte, Gjykata shpall dënim në kohëzgjatje prej 7 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, ndërsa arma në fjalë urdhërohet të konfiskohet.
I akuzuari u obligua edhe për shpenzimet e procedurës në shumën prej 300 euro dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit.
Të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.