Dy aktivistë të komunitetit LGBT janë dënuar me vdekje në Iran, kanë bërë të ditur grupet e të drejtave të njerëzve.
Organizata për të Drejtat e Njeriut “Hengaw” ka thënë se ata ishin të akuzuar për promovim të homoseksualitetit, për promovim të krishterizmit dhe për komunikim me mediat kundërshtare të Republikës Islamike.
Gjyqësori i Iranit më vonë e ka konfirmuar dënimin, mirëpo ka thënë se të dënuarit ishin të lidhur me trafikim të njerëzve dhe jo me aktivizëm.
“Ndryshe nga lajmet e publikuara në hapësirën kibernetike dhe zërat e përhapur, këta dy persona janë akuzuar se kanë mashtruar gra dhe vajza të reja dhe i kanë trafikuar në një nga vendet e rajonit”, raportoi organi i drejtësisë Mizan.
Hengaw e regjistruar në Norvegji, tha se Seddiqi Hamedani, e njohur gjithashtu si Sareh, ishte nga qyteti kryesisht kurd i Naqadeh në provincën e Azerbajxhanit Perëndimor, i cili kufizohet me Turqinë dhe Irakun.
Amnesty International (AI) më parë e përshkroi atë si një “mbrojtëse të të drejtave të njeriut”, e cila tha se ishte arrestuar “vetëm në lidhje me orientimin e saj seksual si dhe postimet e deklaratat në mediat sociale në mbrojtje të të drejtave të LGBT-së”.
AI-ja ka raportuar se ajo ishte arrestuar në tetor të vitit 2021 nga Korpusi i Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), ndërsa përpiqej të kalonte në Turqi për të kërkuar azil.
© KOHA