Një personazh i famshëm në Instagram, e cila njihej si influencer për çështjet e shëndetit fizik, është dënuar me 8 vite burg, e shpallur fajtore për trafikim të qenieve njerëzore dhe për skllavëri.
Në një libër autobiografik të botuar së fundmi, Kat Torres pretendonte se kishte fuqi shpirtërore dhe mund të bënte parashikimin e të ardhmes. Ajo gjithashtu ishte e lidhur me jetën luksoze, fytyra e saj kishte dalë në disa kopertina revistash dhe shkonte në festat e VIP-ave, si Leonardo DiCaprio.
Por në një intervistë për BBC, një miku i saj, me të cilin kishte ndarë një apartament në Nju-Jork, tha se Torres mund të punonte edhe si eskortë për pasanikët dhe se përdorte një drogë haluçinante, të cilët me siguri e kishte njohur teksa festonte me yjet e Hollivudit.
Torres premtonte në faqen e saj në internet se ofronte këshilla për marrëdhëniet në çift, mirëqenien fizike, suksesin në biznes… me pak fjalë realizimin e ëndrrave. Për 150 dollarë më shumë, ajo u ofronte ndjekësve intervista ballë për ballë dhe seanca hipnoze, ku pretendonte se do t’i zgjidhte të gjitha hallet.
Por persona të ndryshëm të cilët patën rënë pre e kësaj skeme raportuan se efektet ishin të kundërta me ato që pretendonte influencerja. Ata e panë veten të izoluar nga familja dhe miqtë dhe të gatshëm të bënin gjithçka u kërkonte Torres.
Ajo u premtonte vajzave që e ndiqnin në rrjetet sociale se duke punuar për të do të realizonin ëndrrat e tyre, por në fakt ato përballeshin me punë të detyruar, kushte të mjerueshme jetese dhe sjelle çnjerëzore.
Dy prej vajzave të cilat u bënë shkas për nisjen e hetimeve nga FBI, u raportuan të zhdukura pasi Torres u kishte bllokuar çdo kontakt dhe i kishte detyruar të punonin në një lokal nate si striptiste. Paratë e fituara ia transferonin të gjitha asaj.
Pas shumë kërkimesh, autoritetet kuptuan se vajzat mbaheshin pa dëshirën e tyre në kontroll të plotë nga Torres. Hetimet zbuluan se ajo i kërcënonte që të mos tregonin asgjë dhe se i kishte regjistruar vajzat në një faqe ku promovohej prostitucioni.
Fatmirësisht agjentët arritën ta bindnin Torres-in që të shkonte në një qendër kontrolli shëndetësor bashkë me vajzat dhe arritën t’i shpëtonin ato.