Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar 23 raste të fruthit në periudhën 5–30 maj 2025.

Sipas njoftimit në Facebook, rastet janë regjistruar në këto komuna: Ferizaj (14 raste), Prishtinë (4 raste), Shtime (2 raste), Lipjan (1 rast), Fushë Kosovë (1 rast) dhe Kaçanik (1 rast).
Komuna më e prekur është Ferizaj, që përfaqëson 60.9% të rasteve të raportuara.
Shumica e të prekurve janë fëmijë të moshës 1–2 vjeç dhe, sipas IKSHPK-së, të gjitha rastet janë të pavaksinuara. Mbi 85% e tyre kanë lidhje me institucione parashkollore, siç janë çerdhet dhe kopshtet, duke ngritur shqetësime për sigurinë në ambientet kolektive të fëmijëve.
“IKSHPK bën thirrje të fuqishme për vaksinimin e menjëhershëm të të gjithë fëmijëve sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit.
Vaksina MMR (Fruth, Shtyta dhe Rubellë) është falas, e sigurt dhe shpëton jetë.
Për më shumë informata, kontaktoni qendrën më të afërt të vaksinimit në komunën tuaj!”, shkruhet në postimin e tyre në Facebook.