Prej 10 ditësh Leo Roci nga Dibra ka humbur kontaktet me familjarët e tij. Këta të fundit kanë bërë denoncim në polici. Ata janë shprehur se me 33-vjeçarin kanë kontaktuar për herë të fundit kur ka qenë në kufirin serbo-kroat.
Denoncimi në polici u bë nga daja i 33-vjeçarit, i cili shprehet se pas humbjes së kontakteve në telefonin e nipit iu përgjigj një grua serbe, e cila tha se i kishte gjetur në rrugë dokumentet dhe telefonin.
“Unë Astrit Doda i datëlindjes 09.12.1967, daja i Leo Rocit i datëlindjes 26,02,1991 dua të bëj një denoncim për nipin tim. Kam humbur kontaktet me të që më datën 21.5.2024 në orën 2:30 të natës, më ka kontaktuar, më ka thënë se jam në doganë në kufirin Serbi-Kroaci, donte që të ikte në Evropë, për emigrim. Nga kjo orë telefoni ka qenë i ndezur, i ka rënë zilja dhe sms, por nuk është përgjigjur njeri. Dje më datën 27,05,2024 në orën 10:20 telefoni është ndezur dhe është përgjigjur një femër e Serbisë dhe ajo po na bënte presion çfarë ka kërkuar ky njeri këtu.
Më pas telefonin e ka hapur një zotëri tjetër, i cili tha se personi që kishin komunikuar më herët ishte bashkëshortja e tij dhe tha se punonte në doganë si agjent doganor dhe dokumentet i kishte gjetur në rrugë.
Por telefoni gjatë ditës ka lëvizur, nuk ka ndenjur në një vend, pasi e kemi kontrolluar me anë të GPS. Dhe tani kam frikë, sepse ka ikur motra ime bashkë me nipin në kufirin Serbi-Kroaci, mos u ndodh diçka edhe këtyre”, tha ai, raporton Euronews Albania.