Të shtunën, më 21 qershor, kemi hyrë zyrtarisht në stinën e verës, ndërsa kjo javë do të karakterizohet nga fuqizimi i masave të nxehta me origjinë nga Afrika Veriore.
Megjithatë, këto masa nuk do të jenë krejtësisht stabile, pasi në pjesën e dytë të javës, veçanërisht të premten, pritet të depërtojë një front i dobët ajror.
Nën këto kushte, moti do të jetë me diell dhe vranësira të pakta gjatë ditës, prej sot e deri të enjten. Vetëm sot nuk parashihen fare vranësira, ndërsa nga e marta ato do të jenë të pranishme në mënyrë të lehtë dhe kalimtare.
Të enjten mund të ketë edhe ndonjë reshje të izoluar, kryesisht në zonat malore. Temperaturat do të shënojnë rritje graduale nga dita në ditë, duke arritur kulmin të enjten, kur parashihet të shkojnë deri në 38°C.
Të premten, pas orëve të mëngjesit me diell, gjatë ditës pritet depërtimi i frontit të dobët ajror, i cili do të sjellë shtim të vranësirave, rrebeshe lokale shiu dhe shkarkesa rrufesh. Si pasojë, temperaturat maksimale do të pësojnë një ulje të lehtë.
Masat më të freskëta, me origjinë nga veriu i kontinentit, do të shtrihen më tej gjatë fundjavës. Edhe pse të dobëta, ato do të mjaftojnë për të sjellë ulje më të ndjeshme të temperaturave, për disa gradë, duke i zbritur rreth apo nën vlerat 30°C. Pavarësisht kësaj, moti pritet të mbetet kryesisht me diell.