Shtatë persona mbetën të helmuar si pasojë e ushqyerjes në restorantet ‘Che Bistro’ në Prishtinë.
Pasi që u ushqyen të njëjtit u detyruan të shtriheshin në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Rasti në fjalë për Indeksonline është konfirmuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Ngjarja në fjalë ndodhi ditë më parë, kurse pesë nga të helmuarit vazhdojnë të jenë duke u hospitalizuar në QKUK.
Tashmë inspektorët e AVUK-it kanë mbyllur njërin prej lokaleve, dhe tek tjetri nuk guxon të servohet asgjë nga kuzhina.
Por pronarët e këtyre lokaleve janë përkujdesur që t’i gënjejnë qytetarët. Tek hyrja e lokalit kanë vendosur një letër të shkruar ku thuhet “Renovim”, pavarësisht faktit se lokalet janë jashtë funksionit që kishin më parë.
“ Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në bazë të njoftimit dhe raportit të datës nga IKSHP dhe Klinika infektive-Prishtinë, lidhur me dyshimin se dy subjekte “CHE BISTRO-3” rr.Kosta Novakoviq pa nr. dhe “CHE BISTRO-1” në Prishtinë-përball Hotel Prishtina janë helmuar nga ushqimi i konsumuar (për momentin) gjithsejtë 7 persona të raportuar të cilët janë hospitalizuar në Repartin e Infektives të QKUK-së. Inspektorati Sanitar i AUV-së në koordinim me IKSHP-së ka dal në vendngjarje me datë 07.02.2020(e premte) për inspektim të subjektit me për verifikimin dhe gjurmueshmërinë e rastit në fjalë”, u tha në përgjigjen e zëdhënësit të AVUK-ut, Lamir Thaçi.
Gjithashtu nga AVUK u bë e ditur se në inspektimin e restorantit ‘Che Bistro 3’ u morën 10 strisho nga ambientet e punës kurse në lokalin ‘Che Bistro 1’ janë marrë pesë strisho për analiza.
“10 strisho nga ambientet e punës, elementet e punës si dhe personeli si dhe 4 mostra per analiza laboratorike : 1.Sandwich me mish të bardhë pule, Sosi i bardhë, Këpurdha dhe Suxhuk. Kurse ne lokalin tjetër CHE BISTRO-1 u morën: 5 strisho dhe 1 moster (sendviq me tunë)”, u tha tutje nga AVUK.
Ndërsa pas inspektimit vizual për kushtet higjienike dhe tekniko-sanitare bashkë me IKSHP-në janë marrë mostrat dhe strishot për analiza laboratorike dhe pas këtyre veprimeve të ndërmarra, inspektorët nxorën vendimin për mbylljen e përkohshme të lokalit ‘Che Bistro 3’ dhe ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë me ushqim dhe pije të freskëta, kurse në lokali ‘Che Bistro 1’ është ndaluar servimi nga kuzhina i të gjitha llojeve të ushqimit, duke mos përfshirë këtu lëngjet dhe pijet e ngrohta.
“Për arsyet të ekzistimit të bazuar të rrezikshmërisë potenciale të shëndetit publik se me rastin e konsumimit të ushqimit në këtë subjekt mund të helmohen edhe persona të tjerë. Bazuar në Ligjin Nr. 03/L-016 Për Ushqimin Inspektorati Sanitarë i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë dha urdhëresën me shkrim për mbyllje të përkohshme të lokaleve të hapësirave të përshkruara me lartë”, u shtua nga AVUK.
Kurse me procesverbal janë dhënë urdhëresat për përmirësimin e kushteve të parapara me ligj dhe subjektet në fjalë nuk duhet të fillojnë punën pa miratimin e organit kompetent në këtë rast, inspektoratit.
Lidhur me gjithë këtë, Indeksonline ka kontaktuar edhe doktoreshën Lindita Berisha nga Klinika Infektive në QKUK.
Doktoresha Berisha bëri të ditur se rasti i parë është paraqitur në Klinikën Infektive me datën katër shkurt, kurse rastet tjera me datën 6 dhe 7 shkurt.
“Simptomat kryesore kanë qenë heqjet ujore të barkut, vjellje, temperaturë, dhimbje të stomakut, plogështi. Simptomat në përgjithësi kanë qenë të njëjtë, por qe tek disa raste kanë qenë më të theksuara, e tek të tjerët më të lehta”, tha dr.Berisha.
Ajo theksoi poashtu se janë në pritje të rezultateve të koprokulturave për të gjitha rastet, ndërkohë që në disa raste është izoluar ‘Bakteria Salmonela Enteritidis’.
“Tani për tani i kemi të shtrirë gjithsej pesë raste, ndërsa një rast e kemi liruar dje në shtëpi”, tha Berisha.
Por pronarët e këtij lokali si duket mbylljen e restorantit nga agjencia e kanë shfrytëzuar për ta “rinovuar”./io/