Vegëza për videokonferenca e Google-it, “Google Meet”, është tani e qasshme direkt nga Gmaili, ka njoftuar kompania.
Integrimi i ri është në dispozicion për Gmail në versionin e uebfaqes, ndërsa ai për mobil do të vijë së shpejti.
“Me ‘Meet’ në Gmail, ju mund lehtësisht të nisni ose t’i bashkoheni një bisede në pak sekonda”, ka shkruar Google në një blog. “Qëllimi jonë është t’ju ndihmojmë të ndiqni rrjedhën e ditës, duke kaluar nga posta elektronike në video-takime, në çfarëdo forme komunikimi që ju duhet”.
Përdoruesit mund të klikojnë “bashkohuni në takim” ose “nisni një takim” nga shiriti i majtë në Gmail.
Muajin e shkuar, Google raportoi se përdorimi i kësaj vegëze ka shpërthyer, për shkak të izolimit të njerëzve si pasojë e koronavirusit.
Deri më 31 mars, “Google Meets” u përdor 25 herë më shumë se që ishte në janar.