Inspektori tatimor, Fidan Tolaj ka thënë se ATK-ja ka vendosur detyrimet tatimore ndaj Sinan Vllasaliut bazuar në informatat që kanë marrë nga postimet e klubeve muzikore nëpër rrjete sociale ku ka pasur të performojë këngëtari.
Këtë deklaratë inspektori Tolaj e ka dhënë të enjten në gjykimin ndaj këngëtarit Vllasaliu, i cili ngarkohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tolaj ka deklaruar se këto klube brenda Kosovës janë inspektuar edhe nga Policia e Kosovës ndërsa për ato jashtë vendit nuk kanë pasur informata përpos posterëve që i kanë postuar në rrjete sociale.
Gjatë kësaj seance, inspektori i ATK-së dëshmoi lidhur me hetimet dhe inspektimet që ATK-ja kishte bërë rreth këngëtarit Sinan Vllasaliu për detyrimet tatimore të tij, duke shtuar se çdo e hyrë duhet deklaruar në ATK edhe nëse tatimet janë kryer jashtë vendit.
![](https://infolinenews.com/wp-content/uploads/2024/05/440041838_18084124912450355_3946911477327128733_n.jpg)
Tolaj, mes tjerash, ka theksuar faktin se i akuzuari Vllasaliu nuk ka sjellë dëshmi për të hyrat e deklaruara në Amerikë edhe pse i njëjti kishte thënë se do ta bëjë.
Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Elza Bajrami, dëshmitari Tolaj tha se kallëzimi penal që është ushtruar nga ATK-ja është dorëzuar ne Prokurori me provat e bashkangjitur.
Mirëpo, në rastin konkret, raport përfundimtar nuk është përpiluar nga ATK-ja, pasi sipas Tolajt, gjatë fazës së hetimeve ishin njoftuar nga prokurori i rastit se është arritur marrëveshja për pranim te fajësisë me Vllasaliun.
Avokati mbrojtës i Vllasaliut, Florent Latifaj kundërshtoi deklarimet e inspektorit pasi që i njëjti tha se ATK nuk ka hartuar raportin final siç është dashur.
Latifaj ka thënë se inspektori Tolaj nuk ka dhënë përgjigje të saktë kur është pyetur se përse nuk është hartuar ky raport final.
Gjithashtu arsyetimi i inspektorit se nuk e di sa është paguar këngëtari Vllasaliu për netët që ka kënduar në diaspore por ka nxjerrë një mesatare duke u bazuar në posterët e klubeve, sipas tij, në të drejtën penale kjo nuk lejohet për shkak se çdo nxjerrje e mesatares është dashur të interpretohet me vlerën zero e jo me dy mijë euro.
Kjo pasi inspektori Tolaj deklaroi se mesataren e të hyrave të këngëtarit Vllasaliu për netët që ka kënduar e kanë nxjerrë duke u bazuar në deklarimet e tij se merr rreth 2 mijë deri në 2500 euro.
“Prej krejt informacioneve që i kemi marrë ne kemi marrë një mesatare dhe jem bazuar edhe në deklaratën e tij që e kemi intervistuar, i njëjti ka deklaruar se diku rreth 2000-2500 euro, këtë mesatare e kemi marrë, pastaj ato publikime që janë bërë, i kemi llogarit qe jon marrë 2000 euro në nate”, ka deklaruar Tolaj.