Kryediplomati shqiptar, Gent Cakaj, ka njoftuar se Komisioni Evropian tashëm ka publikuar raportin për Shqipërinë, i cili rekomandon hapjen e pakushtëzuar të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Me anë të një postimi në Facebook, ministri i Jashtëm Cakaj ka bërë të ditur se pas këtij lajmi fantastic për Shqipërinë, menjëherë do të fillojë fushata e komunikimit politik dhe diplomatik me vendet anëtare për t’i bindur për nevojën e hapjes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.
Ai tutje ka theksuar se Shqipëria do të vazhdojë punën e saj të pakursyer në reformat rrënjësore e në drejtim të BE’së.
Postimi i plotë i ministrit Cakaj:
“Edhe një lajm fantastik për Shqipërinë
Komisioni Evropian tashmë ka publikuar raportin për Shqipërinë që rekomandon edhe njëherë çeljen e pakushtëzuar dhe të menjëhershme të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian!
Ne do të fillojmë menjëherë një fushatë komunikimi politike e diplomatike me vendet anëtare për t’i bindur për nevojën e çeljes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë!
Sot, Ministri i Jashtëm Kroat, z. Gordan Grliç-Radman, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, edhe njëherë konfirmoi se Kroacia si Presidencë e Këshillit të BE-së do të bëjë gjithçka sa është e mundur për ta mbështetur Shqipërinë në arritjen e aspiratës historike të fillimit të procesit të bisedimeve për anëtarësim!
Shqipëria do të vazhdojë punën e saj të pakursyer në reformat rrënjësore e në drejtim të Bashkimit Evropian…”.