Futbollisti kosovar, Merxhan Halilaj ka marr sot rrugën e gyrbetit. Futbollisti i KF Arbanës në Ligën e Dytë ka dhënë njoftimin prekës duke thënë se nuk po ikë në Gjermani nga dëshira, por nga dëshpërimi.
“Largohem… por jo nga dashuria për vendin tim, por nga mungesa e mundësive.
Sot po largohem nga Kosova – jo sepse e dua më pak, por sepse këtu nuk m’u dha mundësia që e meritova me përkushtim, punë e dije.
E përfundova shkollimin si infermier me nota të shkëlqyera, me shumë dashuri për profesionin dhe me dëshirë të sinqertë për të ndihmuar njerëzit e vendit tim. Por fatkeqësisht, sistemi këtu nuk më hapi dyert. Më mbyllën mundësitë – jo pse nuk isha i aftë, por sepse shumë herë, vlerësimi nuk vjen për ata që e meritojnë, por për ata që kanë “dikë” për ata që kanë „💶“.
Jam i zhgënjyer, por jo i thyer. Sepse besoj se diku tjetër puna ime do të vlerësohet.
Me përulësi dhe shpresë, po nis një kapitull të ri në Gjermani, ku do të punoj me dinjitet si infermier, për të bërë atë që di më së miri: të kujdesem për jetën e të tjerëve.
Kosovë, do të mbetesh gjithmonë në zemrën time.
Por të rinjtë e tu meritojnë më shumë. Më shumë mundësi. Më shumë drejtësi. Kjo nuk është fundi, por fillimi i një rruge ku, shpresoj, një ditë të rikthehem e të jem i dobishëm për ty – ashtu siç desha të jem që në fillim.
E marr me vete dashurinë, përkrahjen dhe kujtimet që më keni dhënë – dhe i ruaj si pasurinë më të çmuar.Faleminderit të gjithëve që më keni qëndruar pranë në çdo hap. Do të më mungoni shumë, por zemra ime do të mbetet gjithmonë me ju dhe me vendin tim.
Kjo nuk është “lamtumirë”, është vetëm “mirupafshim”” shkruan Halili në njoftim.