Aeroplani i ushtrisë franceze A340 me 200 pasagjerë është evakuuar nga qyteti kinez Wuhan, i cili gjatë ditës së sotme ateroi në bazën ajrore Istr në jug të Francës.
Pasagjerët më pas nën përcjelljen e xhandarëve janë transportuar me autobusë drejt një pushimoreje të njohur si Kari le Rue, ku do të qëndrojnë 14 ditë nën masa të rrepta të sigurisë në karantinë, transmeton Telegrafi.
Për t’i pritur kishte dalë ministrja e Shëndetësisë, Anyes Bizen, e për çdo rast në vend të ngjarjes kishin dalë shumë autoambulanca.
Aeroplani nga qyteti kinez Wuhan ishte nisur mbrëmë, kurse fluturimi ka zgjatur më shumë se 12 orë. Të gjithë personat që ishin futur në aeroplan, paraprakisht u është bërë testi i coronavirusit.
Të gjithë ishin të shëndetshëm, por rrugës për në karantinë është konfirmuar se një person ka simptoma të virusit dhe për këtë është dërguar në spital për tretman të mëtutjeshëm.