Familjarët e pasagjerëve të nëndetëses së zhdukur Titan, që tani raportohen si të vdekur, janë shprehur të shkatërruar për humbjen e të dashurve të tyre.
Nëndetësja Titan, e cila dërgon pasagjerë deri në rrënojat e Titanikut, të fundosur në vitin 1912, në Oqeanin Atlantik, u zhduk më 18 qershor.
Pas kërkimeve intensive nga shumë shtete, Roja Bregdetare e SHBA-së tha më 22 qershor se pasagjerët kanë vdekur pasi nëndetësja besohet të ketë shpërthyer.
Brenda nëndetëses ishin eksploruesi britanik, Hamish Harding, eksperti francez i nëndetëseve, Paul-Henri Nargeolet, biznesmeni pakistanezo-britanik, Shahzada Dawood dhe djali i tij, Suleman, dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë OceanGate që ofron ekspeditën me nëndetësen Titan, Stockton Rush.
Harding ishte një miliarder dhe aventurier me tre rekorde Guinness, ndërsa dy pjesëtarët e familjes Dawood i përkisnin një prej familjeve më të pasura të Pakistanit. Nargeolet ishte i njohur me nofkën “Zoti Titanik” për zhytjet e tij të thella në rrënojat e Titanikut.
Familja e Hardingut reagoi ndaj njoftimin për vdekjen e pesë pasagjerëve duke thënë se ai ishte një “eksplorues me plot pasion”, por dhe “burrë i dashur dhe baba i përkushtuar ndaj dy djemve të tij”.
“Arritjet e tij gjatë jetës ishin me të vërtetë mbresëlënëse dhe, nëse mund të gjejmë sadopak ngushëllim në këtë tragjedi, e humbëm atë teksa e bënte atë që donte”, thuhet në deklaratën e familjes.
Edhe familjarët e Shahzada dhe Suleman Dawoodit u shprehën shumë të shkatërruar për humbjen e tyre në një deklaratë të shkurtër.
“Ne jemi me të vërtetë mirënjohës për të gjithë të përfshirët në operacionet e shpëtimit. Përpjekjet e tyre të palodhshme ishin burimi force për ne gjatë kësaj kohe”, thuhet në deklaratën e tyre.
Qeveritë e Britanisë së Madhe dhe Pakistanit shprehën “ngushëllimet më të thella” për familjet e pasagjerëve.
OceanGate tha se “zemrat janë me ata pesë shpirtra dhe çdo anëtar të familjeve të tyre gjatë kësaj kohe tragjike”.