Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të djeshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN, raporton Alsat-M, transmeton Klankosova.tv.
Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë ndaluar nga policia.
Në mesin e të vdekurve është edhe një zyrtar policor.