Boksierja kosovare, Donjeta Sadiku ka thënë se është e lumtur me suksesin që ka arritur në Kampionatin Europian, duke i sjellë Kosovës medalje të bronztë. Mirëpo, ajo shprehet e dëshpëruar me shtetin nga i cili thotë nuk ka marrë përkrahje siç ka menduar.
Medaljen e parë europiane në kategorinë e seniorëve për Federatën e Boksit të Kosovës para dy ditësh e sjelli Donjeta Sadiku, e cila pasi pësoi humbje në gjysmëfinale nga Kellie Harrington.
Tutje, Sadiku thotë se ushtron në një sallë që nuk plotëson as kushtet elementare për t’u stërvitur dhe përkundër faktit që ka dërguar kërkesa të ndryshme, nuk ka marrë deri më tani asnjë përgjigje.
”Kur kam ardhur, në Kosovë kam qenë shumë e dëshpëruar me shtetin tem, nuk e kam pasur një përkrahje siq kam menduar se do ta kem, kam menduar se do të jetë ndryshe pasi fitova medaljen e parë. Unë ushtroj në një sallë e cila nuk plotëson kushtet, nuk ka as tatami, është beton, kam çuar kërkesa, por nuk më është përgjigjur asnjë kërkesë.”
Kujtojmë se Donjeta Sadiku muaj më parë kishte fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror në Turqi në kategorinë deri në 60 kilogramë.