Një shofer i pasur, biznesmeni Anders Wiklof është gjobitur me 121,000 euro (129,544 dollarë) për tejkalim të shpejtësisë në Finlandë, ku gjobat e tilla llogariten në bazë të të ardhurave të një shkelësi.
“Më vjen vërtet keq për këtë çështje,” tha Anders Wiklof për edicionin e së hënës të Nya Aaland, gazetës kryesore për Ishujt Aaland, një rajon autonom i Finlandës në Detin Baltik.
Ai gjithashtu ka shprehur shpresën se paratë që ka paguar do të përdoren për kujdesin shëndetësor.
Wiklof po udhëtonte me 82 kilometra në orë në një zonë me shpejtësi 50 kilometra në orë kur policia e ndaloi dhe e dënoi. Bashkë me marrjen e gjobës, atij i është pezulluar edhe patenta e shoferit për 10 ditë.
Kampion në gjobat për shpejtësi
Nuk ishte hera e parë që Wiklof u kap duke ngarë shumë shpejt. Në vitin 2018, ai u gjobit me 63,680 € (afërsisht 68,000 dollarë) duke bërë gjithashtu lajm në mediat ndërkombëtare.
Me origjinë nga Aaland, Wiklof është kryetar i një kompanie që përfshin biznese në sektorët e logjistikës, shërbimeve të helikopterëve, pasurive të paluajtshme, tregtisë dhe turizmit. Ai mendohet të jetë banori më i pasur i Aaland dhe ndonjëherë quhet “mbreti” i zonës.