Federata e Futbollit të Kosovës është në ‘hall’ dhe nuk e di se ku do t’i zhvillojnë ndeshjet e Përfaqësueses A të Kosovës, grupmoshës U-21 dhe të femrave për muajin shtator, tetor dhe nëntor kur dihet se kemi vetëm një stadium të licensuar, stadiumin “Fadil Vokrri”. Agim Ademi, i pari i FFK-së ka thënë se shpresojnë shumë te “Rexhep Rexhepi” në Drenas, teksa Ibër Alaj nga Ministria e Sportit thotë se punimet në “Adem Jashari” do të nisin shumë shpejt, Infoline-News.
Shtatori, tetori dhe nëntori janë muajt kur Përfaqësuesja A e Kosovës, grupmosha U-21 dhe ajo e femrave do të zhvillojnë shumë ndeshje zyrtare në Kosovë dhe jashtë vendit.
Megjithatë, problem po del të jetë terreni se ku do të zhvillojnë ekipet përfaqësuese të Kosovës ndeshjet në Kosovë kur dihet se vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret dhe kushtet për ndeshje ndërkombëtare,
“Fadil Vokrri”, stadiumi në Prishtinë është i vetmi stadium me kritere për ndeshje ndërkombëtare në Kosovë, teksa stadiumi “Adem Jashari” nga pakujdesia është shkatërruar dhe ende nuk dihet se kur do të fillojnë aty punimet.
Nga ana tjetër, Ministria e Sportit në koordinim me komunat kosovare si dhe me Federatën e Futbollit të Kosovës po punojnë në ndërtimin e infrastrukturës, teksa në Drenas, stadiumi ‘Rexhep Rexhepi’ po merr formë mahnitëse dhe pritet të bëhet i kategorisë së tretë.
Natyrisht, Federata e Futbollit të Kosovës është në ‘hall’ dhe nuk e di se ku do t’i zhvillojnë ndeshjet e ekipeve përfaqësuese në muajin shtator, tetor dhe nëntor kur dihet se kemi vetëm një stadium të licensuar.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëhet e ditur se punimet në stadiumin “Adem Jashari”, në Mitrovicë, do të nisin shumë shpejtë pas lehtësimit të masave nga Qeveria e Kosovës shkaku i pandemisë COVID-19.
Shpresa te “Rexhep Rexhepi”
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një prononcim për Zëri.info ka konfirmuar këtë problem, por që ai mban shpresa te stadiumi i Feronikelit “Rexhep Rexhepi”.
“Është e vërtetë, ne do t’i shohim mundësitë tona dhe deri atë kohë shpresojmë të rregullohet stadiumi i Feronikelit, i cili do të jetë i kategorisë së tretë. Jemi në procedurë të vazhdimit të licensës për stadiumin ‘Adem Jashari’, por nuk e dimë se kur do të nisin punimet”, u shpreh Agim Ademi.
Tutje, i pari i shtëpisë më të madhe të futbollit në Kosovë ka thënë se janë bërë disa kompromise për shtyrjen e ndeshjeve për grupmoshat e reja.
“I kemi këto ndeshje në shtator, tetor dhe nëntor, por kemi bërë një kompromis që ndeshjet të luhen në një vend neutral për grupmosha më të reja, dhe disa ndeshje janë shtyrë që është lehtësim për ne”, shtoi Ademi.
Optimizmi për punimet në “Adem Jashari”
Ibër Alaj, nga Departamenti për Sport në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë se punimet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë do të nisin shpejt pas lehtësimit të masave nga ana e Qeverisës ë Kosovës.
“Ne jemi duke punuar në ndërtimin e stadiumeve. Stadiumi ‘Adem Jashari’ ka marrë miratimin nga UEFA dhe do të bëhet i kategorisë së katërt. Jemi në fazën e punimeve, pasi tashmë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për lehtësimin e masave, ndërtimtaria do të fillojë punët. Besoj se brenda dhjetë ditësh, besojmë se do të fillojë gjithçka”, ka thënë Alaj për Zëri.info, duke folur më pas për projektet tjera të MKRS-së në komunat tjera të Kosovës.
“Gjithashtu, jemi duke investuar në Drenas, në Lipjan, në dy stadiume në Prizren, në Kaçanik, në Rahovec në dy projekte, në të njejtën kohë edhe në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, Vushtrri e Gjilan, pra në të gjitha qytetet. Pra, janë një mori projektesh”, përfundoi Alaj.
Mirëmbajtja e stadiumeve
Trajneri i mirënjohur Bylbyl Sokoli që është ndër më të suksesshmit në futbollin e Koosvës, e ka komentuar çështjen në fjalë, duke thënë se punimet duhet të vazhdohen, por që fillimisht sipas tij kryesore është të dalim nga pandemie.
“Tani për tani, prioritet kryesor është dalja prej pandemisë, dhe më pas të vazhdohen punët që kanë mbetur në gjysmë. Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe në qoftë se punimet në ‘Adem Jashari’ kanë stagnuar, ndeshjet duhet të zhvillohen në ‘Fadil Vokrri’. Pra, prioritet mbetet dalja nga pandemia, e sa për ndeshje duhet të luhen në ‘Fadil Vokrri”, u shpreh Sokoli
Tutje, ai ka folur edhe për shkatërrimin e stadiumit “Adem Jashari” si dhe për rëndësinë e mirëmbajtjes së stadiumeve në Kosovë.
“Stadiumi ‘Adem Jashari’ ka qenë në disa faza punimesh, por problemi është se nuk është mirëmbajtur. Unë kam qenë i pari që kam thënë se Kosova nuk ka nevojë për stadiumin nacional, por vetëm të mirëmbahen këto stadiumet nacionale”, theksoi ish-trajneri i FC Prishtinës.