Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka bërë një gjest skandaloz sot gjatë Kuvendit të Jashtëzakonshëm të saj, që ishte ftuar për ta miratuar Draft-Statutin e shumë përfolur të saj.
E gjendur në një pozicion të vështirë nga letra që e kishte marrë para pak ditësh nga Komisioni i Ministrisë së Sportit, i cili kishte kërkuar nga Agim Ademi që ta pezullojë menjëherë funksionin e tij në postin e kryetarit, ose në të kundërtën të pezullohet me vendim të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, për shkak se Ademi nuk mund të jetë kryetar duke qenë në proces gjyqësor për vepër penale, që gjë bie ndesh me Kodin Disiplinor të FIFA-s, FFK sot është munduar ta qetësojë situatën së paku para delegatëve.
FIFA sot para fillimit të Kuvendit e kishte dërguar në FFK një shkresë, përmes së cilës kishte konfirmuar se Agim Ademi nuk është në procedurë disiplinore. Por, FIFA po ashtu ia kishte interpretuar Kodin Disiplinor, i cili thotë qartë se në krye të klubeve dhe federatave nuk mund të kryejnë funksione individë që ndiqen penalisht ose që janë të dënuar.
Këtë letër të FIFA-s, FFK-ja është përpjekur t’i japë konotacion tjetër, kinse FIFA demanton Komisionin e Ministrisë së Sportit.
Madje, FFK-ja ia ka dhënë letrën e FIFA-s zyrtares së saj për t’ua lexuar delegatëve të Kuvendit. Por, letra nuk është lexuar drejt duke ndërhyrë në përmbajtjen origjinale të saj.
Në leximin e letrës së FIFA-s para delegatëve të Kuvendit, FFK-ja ia shton fjalinë “dënim me vendim të formës së prerë”. Por, kjo fjali nuk është askund në letrën origjinale të FIFA-s, ndonëse gjatë leximit zyrtarja e FFK-së e përdorë tri herë këtë fjali.
Në vijim, Gazeta Express ua sjell përmbajtjen e letrës origjinale të FIFA-s dhe dallimin nga leximi i kësaj letre nga FFK-ja para delegatëve:
Letra e lexuar para delegatëve nga përfaqësuesja e FFK-së:
“I nderuari sekretar gjeneral, ne i referohemi çështjes së sipërpërmendur dhe konform marrjes së korrespondencës suaj të datës 25 janar 2023. Në këtë kontekst para së gjithash dëshirojmë që të konfirmojmë se në përputhje me nenin 71, pika 3 të kodit disiplinor të FIFA-s, federatat duhet të sigurojnë që asnjë i përfshirë në menaxhimin e klubeve ose vet federata të mos ndiqen penalisht për veprime të padenja për një pozitë të tillë ose që është dënuar me vendim të prerë për një vepër penale në pesë vitet e fundit. E thënë ndryshe, një kufizim i tillë në përfshirjen e një individi në menaxhimin e klubeve ose federatës zbatohet vetëm në rrethanat kur: ky i fundit aktualisht po ndiqet penalisht qoftë nga autoritetet kombëtare dhe ose publike ose nga organet sportive në lidhje me mirësjelljen që do të ishte e papajtueshme me pozicionin drejtues të sipërpërmendur, ose ky i fundit është dënuar me vendim të formës së prerë për një vepër penale nga një gjykatë penale në pesë vitet e fundit.Në një rast të tillë, kufizimet shtesë mund të ekzistojnë në parim për individë i cili do të kualifikohej për një pozitë drejtuese pesë vjet pasi të është dënuar nga vendimi i formës së prerë. Pavarësisht nga si u tha më sipër, dëshirojmë të konfirmojmë se zotëri Agim Ademi, president aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës aktualisht nuk i nënshtrohet asnjë procedimi dhe ose sanksioni në lidhje me shkeljet e mundshme të Kodit Disiplinor të FIFA-s. Ju falënderojmë për vëmendjen tuaj për çështjen e sqaruar më sipër dhe besimin që na keni dhënë për t’ju ndihmuar”.
Letra e FIFA-s:
Në këtë kontekst, pikë së pari, ne do të donim të konfirmonim që, sipas nenit 71, pika 3, e Kodit Diplicinar të FIFA-s (FDC), shoqatat duhet të sigurohen që askush që është i përfshirë në menaxhmentin e klubeve ose vetë shoqatës nuk është nën ndjekje penale për veprime të padenja për një pozitë të atillë ose nuk është dënuar për një vepër penale në pesë vitet e fundit.
Thënë ndryshe, këto kufizime për përfshirjen e një individi në menaxhmentin e një klubi ose shoqate vlejnë në rrethanat kur:
I. I njëjti është duke u ndjekur penalisht (nga autoritetet nacionale dhe/ose publike, ose nga trupat sportivë) në lidhje me një sjellje që do të ishte në papajtueshmëri me pozitën e lartpërmendur menaxheriale.
II. I njëjti ka qenë i dënuar për një vepër penale nga një gjykatë në pesë vitet e fundit. Në një rast të tillë, dhe subjekt i kufizimeve shtesë, idividi do të duhej, në parim, të jetë i pranueshëm për një pozitë drejtuese pesë vjet pasi të ketë qenë i dënuar.
Pavarësisht asaj që u tha më lart, do të donim të konfirmonim që z. Agim Ademi, Presidenti i tanishëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, nuk është subjekt i ndonjë procedure disiplinore dhe/ose sanksioni në lidhje me shkelje(t) të mundshme të FDC-së. /gazetaexpress