Dy muaj pasi Dukagjini i Klinës ofroi përkrahje publike për kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, Federata e Futbollit të Kosovës mban Kuvendin Zgjedhor të saj.
Më 27 nëntor, Dukagjini i Klinës lëshoi një komunikatë, ku bëhej e ditur se tashmë kishte zhvillime që për synim kishin ndryshimet në Federatën më të madhe sportive në vend. Ka pasur shumë zhvillime prej atëherë. Pak gjëra janë bërë të ditura, ndërsa shumë gjëra kanë mbetur të paqarta. Për shumë prej zhvillimeve mund të vihet dritë në Kuvendin që të hënën (sot) mbahet në Hotelin Emerald, nga ora 15:00.
Federata e Futbollit të Kosovës ka dhënë fare pak informata për Kuvendin e së hënës pasdite. FFK-ja ka njoftuar se Kuvendi do të jetë zgjedhor, por vetëm për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, e jo edhe për kryetar të Federatës, shkruan Koha Ditore. Një pjesë e klubeve e vlerësojnë të padrejtë, e madje edhe shkelje të statutit, që të zgjidhen vetëm anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, e jo të ketë zgjedhje edhe për të parin e Federatës – kryetarin. Në FFK thonë se janë bërë të gjitha përgatitjet për kuvend.
“Komiteti Ekzekutiv shqyrtoi përgatitjet për Kuvendin zgjedhor për anëtar të KE-së, që do të mbahet më 27 janar, duke konstatuar se përgatitjet po shkojnë sipas planit dhe dinamikës së paraparë, konform Statutit dhe Rregullores së punës së Kuvendit të FFK-së”, thuhet në një njoftimin që FFK-ja e ka lëshuar më 22 janar, pas mbledhjes së fundit të Komitetit Ekzekutiv me përbërjen aktuale.
I njëjti organ, në fund të nëntorit, kishte lëshuar një deklaratë në të cilën, ndër të tjera, thuhej: “grupet e njohura që s’kanë të bëjnë fare me futbollin, e të cilët po e sakrifikojnë edhe një ‘karrierist’ të paskrupullt nga Administrata, vazhdojnë të bëjnë fushatë të egër të mbledhjes së nënshkrimeve, kinse për të propozuar kandidatë për kryetarë. Ua përkujtojmë edhe një herë të gjithë atyre që mundohen të përfitojnë nga intrigat dhe konfuziteti se kryetari i FFK-së, Agim Ademi është zgjedhur më 6 korrik 2018 për mandat katërvjeçar”.