“Nivel maksimal” është përshkrimi që shefi i Ferrarit ia ka bërë numrit të porosive për veturat e reja të kompanisë luksoze. Benedetto Vigna në publikimin e rezultateve të tremujorit të tretë të sivjetmë, ka thënë se kërkesa për veturat italiane është aq e madhe sa që më 2025 nuk mund të blihet nëse porositet brenda vitit të ardhshëm.
Ai ka thënë se çfarëdo porosie e bërë sot, mund të dërgohet te blerësi tek më 2026 si periudha më e afërt.
2023-shi ka qenë vit i mrekullueshëm për Ferrarin, që përjetoi rritje prej 5.3 për qind të shitjeve në nëntëmujorin e parë në krahasim me vitin e shkuar. Deri tash kompania ka shitur 10 mijë e 418 vetura. Ferrari e ka cilësuar të arritur të mrekullueshme duke ditur se modeli Purosangue është ende në fazën fillestare të prodhimit.
Sa i përket modeleve të reja, hibridët kanë tejkaluar modelet tjera për herë të parë në këtë tremujor. Mes korrikut dhe shtatorit, 51.3 për qind e 3459 veturave të dorëzuara te pronarët, ishin me motorë elektrikë.
Duke folur për elektrifikimin, Vigna ka konfirmuar se modeli i parë tërësisht elektrik do të lansohet në tremujorin e katërt të vitit 2025.
Deri më 2030, Ferrari ka projektuar që 40 për qind e shitjeve të jenë vetura hibride, 40 për qind elektrike dhe 20 të tjerë me djegie të brendshme.