Familja Iseni nga fshati Tërnoc i Komunës së Bujanocit po pretendon se hoxha Vesim Avdiu, ua ka grabitur vajzën në moshë të re, pa dijeninë e tyre. Ndërkaq version tjetër shpalos vetë hoxha, ai pohon se me vajzën ka “niqah” të kryer në kushte fetare, me lejen e babait të saj.
Rasti i pazakontë ka ndodhur këto javët e fundit, derisa familja e vajzës ka paraqitur ankesë në Këshillin e Bashkësisë Islame
Paparaci ka kontaktuar me babain e vajzës të martën, derisa i njëjti ka thënë shkurt: “Po hoxha ma ka marrë vajzën”, duke mos dashur të deklarohet më tej.
Prindi i vajzës ka shkruar letër të hapur drejtuar Këshillit të Bashkësisë Islame, ku ka denoncuar “sjelljen e papranueshme” të hoxhës Vesim Avdiu, i cili mban pozitën e imamit në xhaminë e Struarëve në Tërnoc.
Sipas letrës që ka siguruar Paparaci, pretendohet se “hoxha Avdiu ka kryer veprim të papranueshëm duke rrëmbyer (ikur) vajzën e tyre pa dijeninë e prindërve”.
Prindi i vajzës tutje kërkon që hoxha Avdiu të largohet “urgjentisht” nga detyra e imamit në xhami, duke argumentuar se sjellja e tij është në kundërshtim me parimet dhe vlerat e fesë islame.
Ai gjithashtu kërkon hetim të menjëhershëm dhe një përgjigje nga autoritetet fetare.
Version krejt tjetër nga ky që ka dhënë prindi, paraqet hoxha Vesim Avdiu.
Në një prononcim për Paparacin, ai i quan shpifje fjalët e babait të vajzës. Sipas tij, vajza është martuar me të me vetdëshirë dhe me leje të babait.
“Rasti si rast është shpifje edhe gënjeshtra. Vajzën e … e kam me leje të …., dhe me dëshirën e vajzës, e kam me niqah të krym në kushte fetare. Pastaj vajza ka deklaru edhe në polici se …, prindi vet u kon prezent kur vajza ka ardhë me mu me vetdëshirë edhe …. e ka ditë edhe prej ma herët edhe vet e ka pa se ka prezantu”, thotë ai.
Megjithatë, hoxhë Avdiu thotë se “për arsye personale prindi ka ndryshu mendim dhe i ka bë këto shpifje”.
“Pastaj vajza ka deklaru edhe para këshillit të xhamisë, para prindit, se fjalet e prindit janë gjitha gënjeshtra se kemi fakte kur prindi vet ka pranu me martu vajzën tek un, pastaj për aryse personale prindi ka ndryshu mendimin dhe i ka bo këto shpifje. Vajza, unë edhe prindi kemi sqaru gjitha para këshilltarve të xhamisë edhe besoj se ka mu rregullu kjo punë, nuk besoj se ka nevojë me shperndajt edhe më shumë gënjeshtra edhe shpifje”, thekson hoxhë Avdiu.
“Nga qarqet okulare vetëm jeni të informuar se këto ditë në familjen tonë dhe në komunitetin tonë islam, ka ndodhur një ngjarje e pazakontë deri më tani. Fjala është për hoxhën Vesim Avdiu, një prijës fetar i cili mban pozitën e imamit në xhaminë e strukarëve/Tërnoc.
Personi në fjalë ka kidnapuar (ikur) vajzën tonë në një moshë shumë të re dhe pa dijeninë e prindërve, dhe mendojmë se ky gjest nga një hoxhë është gjest për të ardhur marre dhe sidomos e dëmton rëndë edhe imazhin e komunitetit islam.
Vajza jonë që nga mosha 10 vjeçare mëson në xhaminë e lagjes së strukarëve, dhe më pas edhe shkollimin e medresesë, ku më pas vazhdon edhe studimet në Egjipt, e ku hoxha i lartëcekur në çdo moment e ka konsideruar si vajzë, kështu thotë Vesim Avdiu (hoxha), ku edhe para dy viteve me rastin që i del afera se po shkon me vajza të reja (studente), ai edhe publikisht në hytben e xhamisë së strukarëve, deklaron se këto janë gënjeshtra qëllim keqe dhe se njerëzit prej xhelozisë bëjnë gjithçka, por që tani po del e kundërta, qenka konë e vërtetë edhe atëherë.
Pos që nuk e dimë se ku është vajza jonë, por se kemi dyshime në personin Vesim Avdiu, neve si familje si hap të parë kemi vendosur që kësaj pune ti jepet një përgjigje, me arsyen sepse hoxha: ka gënjye, ka mashtrue, ka falsifikue, ka prish familje, ka kërcënue. Që të gjitha këto në kundërshtim me parimet e fesë islame.
Kërkojmë nga këshilli i xhamisë, që urgjentisht hoxha të largohet nga xhamia, në mënyrë që mos të na sjell deri tek ndonje situatë jo e mirë. Presim një përgjigje deri ditën e mërkurë 06.04.2024 (pasdite)”, thuhet në letrën e prindit të vajzës, të cilën e ka siguruar Paparaci.