Evropa ende po kërkon një rol në konfliktin Izrael-Iran, pasi u zu në befasi nga sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, që u kryen në fundjavë.
Për evropianët është e drejtë të thuhet se ndihen disi të poshtëruar, pasi sulmi amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit ndodhi vetëm 24 orë pas takimit që ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe përfaqësuesja e BE-së, Kaja Kallas, zhvilluan më 20 qershor në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.
Ato bisedime nuk çuan në diçka konkrete, madje as në marrëveshje për takim të ri.
Por, Kallas ishte këmbëngulëse kur u pyet për këtë çështje para mbledhjes së Këshillit të Jashtëm të BE-së, më 23 qershor, duke thënë se Teherani ka filluar të hapet për çështjet e tij bërthamore dhe ato të sigurisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ishte i të njëjtit mendim.
Ai tha se përpjekjet e Evropës nuk kanë çuar askund dhe se iranianët nuk kanë shumë dëshirë të bisedojnë.