Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2019.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.1% në muajin shtator 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 257.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 257.1 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 13.0%.
Eksporti i mallrave në muajin shtator 2019 kishte vlerën 38.4 milionë euro, ndërsa importi 295.7 milionë euro, që është një rritje prej 4.7% për eksport, dhe një rritje prej 0.6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 35.9% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.0% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 12.1% e përbëjnë produktet minerale; 9.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.1% e përbëjnë produktet bimore; 5.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Nga ana tjetër, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.6% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.