Organet e drejtësisë në Gjermani, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, e kanë goditur një rrjet të mashtruesve që kanë vepruar ndërkombëtarisht, të cilët përmes një “Call Center” me bazë në vendin tonë arritën t’i marrin, hiç më pak se 650 mijë euro.
Kjo u bë e ditur nga Zyra e Prokurorit Publik të Konstanzës, transmeton Klankosova.tv
Aksioni është realizuar nga Zyra e Policisë Kriminale Federale e Wurttenmbergut e asistuar nga Policia e Kosovës.
Thuhet se personat që kanë punuar në këto call center, kanë pretenduar se veprojnë në kuadër të institucioneve mbikëqyrëse financiare.
Qëllimi i tyre ishte kinse për të rimbursuar palët e dëmtuara për paratë që kanë humbur, në këmbim të një paradhënie.
Por, sipas Zyrës së Prokurorit Publik të Kontanzës, në Gjermani thekson se megjithatë, viktimat nuk kanë marrë asnjë rimbursim dhe janë dëmtuar sërish financiarisht.
Për këtë rast është arrestuar një shtetas i Kosovës i moshës 26-vjeçare dhe janë sekuestruar prova të shumta, përfshirë edhe armë zjarri pa leje.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se me datë 24 tetor 2024 është kontrolluar qendra e thirrjeve bashkë me oficerët e Policisë së Gjermanisë.