Ahmeti ka thënë se ky takim i parë me ministren Dumoshi nuk do të jetë i vetmi
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka vizituar sot komunën e Prishtinës, ku është takuar me kryetarin Shpend Ahmeti, me të cilin ka diskutuar për projektet e përbashkëta të MKRS-së dhe Komunës, qofshin ato të investimeve kapitale dhe atyre që janë aktivitete konkrete, si ngjarjet kulturore, rinore e sportive.
Në këtë takim të parë, ministrja Dumoshi është shprehur se bashkë me kryetarin Ahmeti kanë folur për bashkërendimin e veprimeve që të konkretizohen e finalizohen projektet kapitale që do të realizohen në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, si Teatrin e Operës dhe Baletit, Muzeun Bashkëkohor, për projektet për Stadiumin e Qytetit, Qendrën e Tenisit, e shumë projekte të tjera që janë në interes dhe në dobi të qytetarëve.
Kurse, kryetari Ahmeti ka thënë se ky takim i parë me ministren Dumoshi nuk do të jetë i vetmi, ngase do të përkundër diskutimit të sotëm për tema të përbashkëta, do të ketë edhe takime të tjera për konkretizimin dhe dakordësimin e këtyre temave.
Kryetari Ahmeti është shprehur se është fatmirësi për Prishtinën, sepse ministrja Dumoshi e njeh për së afërmi situatën dhe nevojat që ka kryeqyteti për përkrahje, pasi ka qenë drejtoreshë e kulturës, rinisë dhe sportit në komunën tonë. Sipas një komunikate të MKRS—së, në takim është diskutuar edhe për ngjarjet kulturore e sportive që janë në plan të organizohen sivjet në kryeqytet dhe u shikua mundësia e përkrahjes dhe pjesëmarrjes së përbas hkët në këto ngjarje, të cilat e pasurojnë jetën kulturore e sportive./21m/